Dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike ka qenë kryefjala e mediave shqiptare. Ky lajm ka arritur të marrë një vëmendje të madhe dhe të komentohet gjatë edhe nga mediat e huaja.

Së fundmi, ka qenë media prestigjoze “Washington Posti”, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë largimit të Lulzim Bashës.

Në këtë shkrim janë të shpjeguara të gjitha shkaqet që çuan ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha, në marrjen e këtij vendimi.

Ndër të tjera, nuk është lënë pa përmendur as edhe qëndrimi i Uashingtonit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar edhe njëherë se mes SHBA-ve dhe Partisë Demokratike nuk do të kishte një bashkëpunim nëse do të drejtohej nga Sali Berisha.

Shkrimi i plotë i “Washington Post”:

Kreu i partisë kryesore opozitare shqiptare dha dorëheqjen të hënën nga posti pas përçarjes së brendshme.

Lulzim Basha tha se kishte vendosur të jepte dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike “për të ndihmuar në ringjalljen dhe unitetin e demokratëve”.

Shkarkimi i ish-kreut të partisë Sali Berisha nga grupi parlamentar në shtator nga Basha shkaktoi një grindje brenda partisë mes tyre. Berisha krijoi një grup që kërkon të largojë Bashën nga posti, duke e akuzuar atë si “peng” të kryeministrit Edi Rama të Partisë Socialiste të majtë.

Në janar, mbështetësit e Partisë Demokratike të qendrës së djathtë u përleshën me njëri-tjetrin ndërsa u përpoqën të sulmonin selinë e partisë së tyre.

Basha e ndoqi Berishën në këtë post kur ky i fundit dha dorëheqjen në vitin 2013 pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.

Më parë këtë muaj, demokratët e ndarë humbën me shumicë dërrmuese në zgjedhjet e parakohshme në gjashtë bashki. Kjo ishte humbja e fundit e Bashës në nëntë vitet që ai ka drejtuar demokratët.

Lëvizja e Bashës kundër Berishës pasoi një ndërhyrje në maj të Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken, i cili caktoi Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë si persona non grata për “akte korruptive që minuan demokracinë në Shqipëri” gjatë mandatit të Berishës si kryeministër 2005-2013.

Uashingtoni gjithashtu e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunonte me Partinë Demokratike të Shqipërisë nëse ajo do të drejtohej nga Berisha