Drejtoresha e kopshtit privat në Sauk të Tiranës, Anjeza Shabani,  sot në mëngjes është ndaluar nga policia. Ajo akuzohet për dhunë mbi fëmijët në kopshtin ku ishte pronare dhe administratore. Dje, përmes një emisioni televiziv investigativ “Stop”, janë transmetuar skena të rënda ku zonja Shabani dhunon një fëmijë trevjeçar.

Akti i rëndë i administratores së kopshtit ka ngjallur zemëratë te prindër, intelektualë, qytetarë të tjerë dhe fëmijë. Në këto rrethana policia është detyruar ta ndalojë.

Gjatë investigimit të mëtejshëm, shfaqet një dukuri tjetër, shjumë e rëndë e njeriut të dhunshëm e të pamëshirshëm mbi fëmijët. Shabani, pasi i rrihte fëmijët, i mblidhte në oborrin e kopshtit, iu vinte lodra në duar, i detyronte të buzëqeshnin dhe i fotografonte. Pamjet i transmetonte në Facebook. Ajo dhunonte, por edhe dinte mjaft mirë t’i bënte reklamë kopshtit të saj.

 

Pasi u kishte futur ca shpulla të mira fëmijëve, ajo pasqyronte për prindërit një tjetër realitet. Përmes fotove në “Facebook” ajo postonte foto nga ambiente të bukura, fëmijë “të lumtur” dhe festa të shumta.

 

Vetëm videoja e postuar dje në emisionin “Stop” arriti të zbulojë realitetin në atë kopsht dhe të ndërgjegjësojë prindërit për të pasur kujdes.

Akuza që rëndon mbi Anjeza Shabanin është “Keqtrajtim të miturish” dhe “Shpërdorim detyre”.

 

Fillimisht ato u shoqëruan në Komisariatin numër 1 dhe në këto momente ndodhet në Drejtorinë e Policisë, duke u marrë në pyetje nga Antikrimi Ekonomik.