Janë vetë dorëzuar në polici dy prej autorëve të vrasjes së dy kushërinjve në Laç. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, ku mbeten të vrarë dy të rinj, kushërinj.

Falë negociatave me familjarët është bërë i mundur vetë dorëzimi i Markel dhe Vinsent Bushit, thuhet në njoftimin e policisë. Të dy autorët janë të rinj, 25 dhe 28 vjeç, kushërinj me njëri tjetrin, mbetet në kërkim, Manuel Bushi.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së dielës në Laç, ku si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri mbetën të vrarë kushërinjtë, Kelvin dhe Erjon Jushi.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë ju informojmë se:

Si rezultat i punës hetimore të kryer nga  grupi i  posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi  dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë.

Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin,  pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici.

Grupi i posaçëm hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentin  e plotë të kësaj ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Veritas.com.al/