Lefter Cani, pacienti i dializës që mesditën e djeshme shkaktoi dy të vdekur në ambientet e spitalit Amerikan, është vënë në pranga për vrasje.

Edhe pse ndodhet në gjendje të rëndë, për shkak të flakëve të zjarrit që ndezi vetë, Canit i është komunikuar akuza mbrëmjen e djeshme, për vdekjen e dy pacientëve.

Burime nga policia thanë se, ngjarja e rëndë është filmuar dhe për këtë arsye janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së spitalit privat.

Të njëjtat burime kanë treguar se, Cani ka nisur të debatojë me pacientin tjetër Dashamir Saraçi. Në thelbin e sherrit të tyre mësohet se është një zënkë e vjetër për shkak të një konflikti pronësie.

Kjo ka bërë që sherri të ndizet e të arrijë deri në zjarrvënie të qëllimshme me benzinë në ambientet e spitalit Amerikan.

Nga ky zjarr kanë humbur jetën dy paciente, Hanife Mali, 55 vjeçe nga Laçi dhe Sanije Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi. Të plagosur rëndë kanë mbetur edhe autori, Lefter Cani, 57 vjeç dhe Dashamir Saraçi, 47 vjeç.