Shkëlzen Kastrati, rreth 40-vjeç është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e sotme në Fier.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30, në vendin e quajtur “Ura e Sheqit”,  ku një person ende i paidentifikuar ka hapur zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se viktima udhëtonte me makinën e tij tip “Benz” , ndërsa autori e ka ndjekur nga pas ku është shkaktuar edhe një aksident me një makinë tjetër që sipas  të dhënave paraprake nuk ka lidhje me ngjarjen. Në këtë moment autori i krimit ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar për vdekje brenda në makinën e tij, Shkëlzen Kastratin. Mësohet se viktima ka marrë një plumb në kokë gjë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Autori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Range Rover”, i cili u gjet nga shërbimet i djegur te vendi i quajtur “Mbikalimi i Baltzës”. Burime për Top Channel bëjnë me dije se brenda këtij automjeti me targa është gjetur një armë automatike që dyshohet se është përdorur nga autori për të qëlluar Shkëlzen Kastratin.

Deri më tani policia po heton në disa pista ku përfshihet edhe ajo që lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2016.

Shkëlzen Kastrati është vëllai i Kelmend Kastratit. Këtij të fundit i bë një atentat në janar të vitit 2016. Në atë kohë, policia raportoi se atentati ishte kryer për shkak se Kelmend Kastrati dyshohej të ishte përfshirë në një vrasje dhe një plagosje të ndodhura disa vite më parë.

Policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

VERITAS.COM.AL