(FOTO: Escobar dhe Sali Berisha)

2 ditë para se Sali Berisha të mbledhë në stadium mbështetësit e tij për Kuvendin e PD-së, të thirrur prej tij, do të mbërrijë në Tiranë i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Përveç Kryeministrit dhe ministres së Jashtme ai do të takojë në kryeqytet edhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Ambasada e SHBA ka postuar para pak minutave në Facebook se Escobar vjen në Tiranë edhe për të kon firmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Edhe korrupsioni, edhe minimi i demokracisë ishin argumentet kryesore të Sekretarit të Shtetit në SHBA Blinken në shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës më 19 maj të ëktij vitit. Duket si një mesazh i drejtëpërdrejtë ndaj Berishës nga ambasada e SHBA në këtë javë vendimtare të luftës së tij, jo vetëm kundër Lulzim Bashës por edhe vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Këto ditë janë shumë të rëndësishme për Partinë Demokratike. Kujtojmë se zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të bëntë forcën më të madhe opozitare në vend ‘non grata’ në SHBA, sipas një deklaratë të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.