I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka bërë të qartë se çdo vendim mbi shpalljen si non grata për funksionarë të lartë të shteteve të ndryshme, nuk është një vendim politik por një përpjekje e përbashkët institucionale dhe nëse rezultati i duelit Basha-Berisha, anon për nga ky i fundit, Partia Demokratike do të ketë pasoja.

Escobar e ravijëzoi sërish faktin se Sali Berisha, është i shpallur non grata nga SHBA-të. Si i tillë, funksionarët amerikanë nuk do të takohen me të. Ndërsa, fati i PD-së, mund të jetë i zymtë dhe të ketë pasoja për ta.

Hetimet për Berishën, siç ka shpjeguar ai, është një përpjekje e gjatë institucionale. Madje, ajo ka qenë e shtrirë edhe gjatë administratës së Donald Trump.

Mbi lidhjet e mundshme të George Soros me vendimin ndaj Berishës, të cilët ky i fundit akuzon dhe i pretendon, Escobar i cilësoi “të rrezikshme”.

“Nuk kanë asnjë bazë. Janë përpjekje institucionale për të ndalur korrupsionin. Ishte një përpjekje kolektive jo individuale”, theksoi ai.

Ndër të tjera, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, bëri me dije se sanksione të tjera do të ketë në gjithë Ballkanin Perëndimor. Sakaq, ai ka garantuar po ashtu se SHBA-të, janë të gatshme të vendosin në dispozicion të sistemit të drejtësi, dosjet që kanë mbi persona të ndryshëm.

Kështu, shteti i së drejtës, mund të vendoset sa më parë në Shqipëri.

Pikërisht ky i fundit për Escobar, është edhe themeli që i nevojitet demokracisë shqiptare. Ndaj, ai ka siguruar se SHBA-të do të ushtrojnë presion publik me sanksione. Ndërsa fjala e fundit, do t’i takojë gjyqësorit në Shqipëri, që të tregojë veten.

Integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë po ashtu një pikë ku ai është ndalur. Funksionari i lartë amerikan i ka mëshuar faktit se drejtimi i vetëm për Tiranën, është unioni. Megjithatë, parë edhe nga skepticizmi, këta të fundit duhet të nxijonë në pranimin e shteteve ballkanike në bashkësi.

“Ju jeni evropianë tashmë”, përkufizoi ai. “Ju keni kulturë evropiane dhe jetë të tillë”.

Teksa, mbi bashkëpunimin me Washingtonin, ai pretendon se do të vijojnë në disa zëra. Më kryesorët ndër to, bashkëpunimet me karakter ushtarak, ekonomik, arsimor apo kulturor.

“Duam të punojmë me ju për më shumë”, përmbylli ai.