Në Departamentin Amerikan të Shtetit çështja e ndarjes nga e kaluara në rajonin e Ballkanit, duke pasur si shembull gjithmonë Sali Berishën është një prioritet. I dërguari special për Ballkanin nga DASH, Gabriel Escobar, edhe në një intervistë për mediat greke e ka quajtur “të trishtë” situatën në të cilën është përfshirë së fundmi Partia Demokratike.

Teksa ka folur për ‘To Vvima’, Escobar, tha se PD-ja, por edhe populli shqiptar duhet të refuzojnë të shkuarën (referuar Berishës), në mënyrë që të mos rikthehen “ditët e këqija”.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me PD-në.  Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që ndodh me PD-në aktualisht. Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të refuzojnë të kaluarën dhe të shikojnë nga e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë”, ka thënë Escobar.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në BE.

” Ata janë tashmë evropianë kulturalisht, historikisht dhe gjithnjë e më shumë ekonomikisht. Çdo vend që i bashkohet BE-së po bëhet më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i begatë ,” tha ai, duke shtuar se politika e SHBA për këtë çështje mbetet e njëjtë. ” Kjo tregon se ideja evropiane është e gjallë në rajon .”

Escobar ka përshëndetur edhe rolin e Athinës në rajon.

“Greqia ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur dhe ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë rajonin ”, thotë ai, duke e cilësuar si pozitiv bashkëpunimin greko-amerikan.

“ Ajo që karakterizon tani Ballkanin Perëndimor është rritja mbresëlënëse ekonomike. Është pjesa me rritjen më të shpejtë të BE-së. Dhe në këtë kontekst, qeveria greke ka nisur nisma ekonomike që do të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të bëhet një qendër energjetike, teknologjike, detare dhe transporti. E gjithë kjo me synimin për ta lidhur Greqinë më afër Europës dhe për ta bërë atë një lojtar shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendeve të rajonit ”, thekson ai.

Shqetësimi i madh amerikan për Ballkanin Perëndimor bazohet në ndikimin e vendeve të treta.

“Jam shumë i shqetësuar për ndikimet dashakeqe ruse dhe kineze. Unë nuk e përfshij Turqinë në këtë kategori.  Turqia është një anëtare e NATO-s, ajo ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu ka punuar shumë për të sjellë investime në rajon ,” tha ai.

Sipas tij qëllimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor  është të destabilizojë qeveritë në mënyrë që t’i largojë më tej ato nga Evropa./ Shqiptarja.com/