Prokurori Kombëtar italian i Antimafias dhe Antiterrorizmit, Federico Cafiero De Raho , pas takimit me kryeprokuroren e përgjithshme shqiptare Arta Marku, në një prononcim për mediat ka nënvizuar se kriminaliteti shqiptar është shumë prezent në Itali dhe në bashkëpunim me familjet më mafioze vendase.

Sipas tij, kriminaliteti shqiptar është shtrire deri në Italinë e Veriut.

“Edhe mafia në Shqipëri ka arritur të penetrojë në nivele të territorit shqiptar që futen ne ekonominë legale dhe kanë lidhje me politikën. Mafia shqiptare mund të ketë pushtuar institucione, përfshirë policinë. Duhet t’i luftojmë këto organizata dhe të gjejmë subjektet e duhura dhe eksperiencën që kemi marrë nga aktiviteti i gjyqësorit”, u shpreh Federico Cafiero De Raho.

Edhe në territorin italian, organizatat kriminale shqiptare po bashkëpunojnë me grupe mafioze italiane në trafikun e drogës, theksoi prokurori italian, duke shtuar se së fundmi është rritur ndjeshëm përfshirja e shqiptarëve në trafikun e kokainës.

“Grupet kriminale në Shqipëri po bëjnë aleancë me grupet në Itali. Shqetësohemi së tepërmi për trafikun e kokainës. Grupet kriminale janë të pranishme jo vetëm në bregdetin Jon dhe zonën e Kalabrisë, por edhe në pjesën veriore të Italisë, në detin Adriatik. Sikur e kam thënë, po krijohen aleanca mes grupeve kriminale. Kemi zhvilluar hetime të përbashkëta dhe kemi vlerësuar rezultatet për hetimet e përbashkëta. Kemi bërë hetime domethënëse, që evidentojnë bashkëpunimin që kemi pasur me Shqipërinë”, tha ai.

Prokurori i Antimafias u pyet edhe për hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin u shpreh: “Bashkëpunojmë me ata që kanë në objekt të punës luftën kundër krimin e organizuar. Ne kemi një rregull, zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë për çdo qytetar të çdo niveli, pavarësisht nga statusi politik apo shoqëror. Në Itali hetohet kushdo”.

Veritas.com.al/