“Fëmijët e Republikës”. Kështu do të emërtohen të gjithë ata fëmijë, të cilët kanë humbur njërin ose të dy prindërit apo kujdestarët ligjorë, për shkak të pandemisë, luftës në mbrojtjen e territorit apo fatkeqësive të ndryshme natyrore, duke u dhënë atyre mundësinë e një trajtimi ekonomik dinjitoz për të jetuar dhe për t’u zhvilluar deri në daljen më vete si adultë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka prezantuar nismën në seancën përmbyllëse të Kuvendit të Shqipërisë, duke shpalosur edhe skemën e financimit për të gjithë ata, të cilët përfitojnë.

Një sërë përfitimesh vijnë në disa kategori.

Kështu, nëse personi, i cili ka humbur jetën, ka lënë pas vetëm një fëmijë, pasardhësi i tij merr subvencion mujor në vlerën prej 100% të pagës maksimale të prindit.

Në rast se janë dy fëmijë, atëherë përfitimi është në masën 70% për çdo fëmijë. Për tre trashëgimtarë, masa është në 50% për çdo fëmijë dhe për katër fëmijë, në 40% për secilin prej tyre.

“Jemi të vetëdijshëm për borxhin që u kemi atyre, të cilët dhanë jetën për vendin”, theksoi Rama, duke e cilësuar këtë nismë si ndër më fisniket të marra prej marrjes së detyrës.

Kujdesi ndaj tyre do të vijojë gjithsesi, edhe pas moshës 18 vjeç. Kjo, vlen për ata, të cilët vazhdojnë studimet e larta, në të dy ciklet.

Ata përjashtohen automatikisht nga tarifat e shkollimit apo studimit. Gjithashtu, edhe nga tarifat për kujdesin shëndetësor. Kjo vlen edhe për ndihmën spitalore private, nëse ajo është e nevojshme. Qoftë brenda vendit, qoftë jashtë.

Me këtë prezantim, Rama u ka bërë thirrje deputetëve ta votojnë nismën e fundit qeveritare për vitin 2021.