Nëse memoria për të kaluarën nuk sjell imazhe të qarta, nëse faktet aktuale nuk janë mjaftueshëm të dukshme, atëherë paramendojeni një situatë në të ardhmen, kur me akuza nga Rusia, presidenti ukrainas Vladimir Zelensky, do gjykohej për trafikim organesh, ky është Hashim Thaçi sot u ka thënë Edi Rama, të pranishmëve në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës në një përpjekje kolosale përmes një fjalimi mbështetur në faktet e një juristi dhe pasionin e një burrështetasi.

Për 1 orë rresht, Rama i ka ballafaquar evropianët me ndërgjegjen e tyre, duke ua përplasur në fytyrë absurdin që krijojë nisma e rusit Konstantin Kosachev dhe u kthye në një rezolutë të Këshillit të Evropës, për të përfunduar në një Gjykatë Speciale, paçka se nisma ishte për trafikim organesh e aktakuza s’përbën asgjë nga ajo nismë.

Arsyeja pse Shqipëria po vjen me një kundër-rezolutë tash dhe jo më parë, Rama tha se ishte një pritje e Shqipërisë për të parë se çfarë do dilte “përkundër se e dinim që s’do dilte gjë”.

“Ne pritëm, por s’doli gjë. Kjo rrenë është fabrikuar në Moskë dhe viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju, të gjithë ju. Lajmi i Rremë u bë raport dhe raporti rezolutë. U keqorientuat dhe në fund minuat të vërtetën dhe drejtësinë. Veprimet tuaja të një dekade më parë, kanë shkaktuar një shtrembërim të dinjitet njerëzor”, deklaroi Rama.

“Por, s’jam këtu për ata që votuan raportin, jam këtu për ju. Jam këtu t’iu them se si rrjedhojë e votimit të këtij këshilli bota e drejtësisë u kthye përmbys, viktimat u kthyen në kriminelë, kërkimi për të vërtetën u kthye në një përsëritje të pafundme gënjeshtrash. Të rinjtë luftëtarë u kthye në kryekriminel bande. Një udhëheqës që ndërtonte paqen u kthye në kriminel lufte”, shtoi Rama.

“Por, nuk jam këtu që të lutem për Kosovën. E vërteta për Kosovën njihet nga të gjithë, për të gjithë ata që kanë sy për të parë, që kanë vesh për të dëgjuar”.

Për ta shpjeguar çfarë ka ndodhur gjatë 11 vjetëve, kur nga një libër me kujtime i prokurores Carla Del Ponte –  “e ju e dini si shkruhen ato” tha Rama – u ngurtësua një raport nga një anëtar i partisë së Vladimir Putin-it, dhe më pas mori formën e një rezolute të KiE-së, Rama ka përdorur edhe referenca letrare.

“Një nga romanet më të njohura të letërsisë shqiptare, po edhe asaj evropiane, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, rrëfen një histori të një italiani që vizitonte Shqipërinë në kërkim të trupave të ushtarëve italianë që ishin vrarë në luftën e dytë botërore. Por ai ishte i bazuar në një fiksion për të edukuar brezat e ardhshëm për tragjeditë e luftës”.

“Në rastin tonë realiteti tejkalon fantazinë, ju vizitoni vende të caktuara në kërkim të klinikave të specializuara për trafikim organesh. Raporti vë theksin të Shtëpia e Verdhë, por s’është as shtëpi e verdhë, as klinikë, por një ndërtesë guri e një familje të varfër shqiptare, një nga të shumtat të atij lloj në këto zona të thella”.

“Arritja e fundit e gjeneralit tuaj në kërkim të një ushtrie ishte të kthente në tallje të drejtat e njeriut”, u tha Rama asambalistëve evropianë.

Pas hetimit, theksoi Rama, u kuptua se raporti ishte i mbështetur në “injorancë dhe arrogancë”.

“Në rrethana të zakonshme ngatërrimi i tillë do të bënte për të qeshur, por kjo nuk është për të qeshur, që të rinj që sakrifikuan për të çliruar vendin e tyre trajtohen si trafikantë organesh. Shqiptarët etiketohen si njerëz periferikë inferiorë, nuk është për të qeshur se vetë raporti pranon se në momente thelbësore hetuesit nuk kishin kontakt me burimet e veta. Nuk është për të qeshur se ai pranohet në fund faqe ca gjëra që që do të kishin bërë xhelozë edhe Franc Kafkën edhe Dostojevskin e këdo që ka pasur imagjinatë të gjallë për të hyrë ne terrin e thellësisë së natyrës njerëzore”.

“Aty thuhet që disa prej akuzave nuk mund të mbështeteshin”, e përkundër kësaj, Rama tregoj se si “këto pretendime mbeteshin aty”.

Prandaj, “për gjatë gjithë procesit specialistë e diplomatë bënë thirrje për kujdes dhe përmbajtje”.

“Lidhur më këtë raport u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës. Imagjinoni presidentin, kryeministrin e vendit tuaj që merret dhe futet në mbikëqyrje dhe vihet nën arrest pa asnjë aktakuzë zyrtare”.

Për të vazhduar me Kafkën, Rama krahasoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi me një nga personazhet më të famshëm të autorit në librin e tij “Procesi”.

“Një herë e një kohë Thaçin Joe Biden e quante George Washington. Por tani, më e përshtatshme do të ishte ta quanim Joseph K. Meqë njëjtë si karakteri i Kafkës tek Procesi, ai ishte arrestuar nga një autoritet i largët, i pakuptueshëm, pa marrë vesh se për çfarë po akuzohej”.

“Vazhdon të jetë aty, i ulur në Hagë, Joseph K. i gjallë, akoma në paraburgim, krijuar nga ju, nga Këshilli i Evropës. Sepse ju lejuat që fantazia t’ia marr terrenin objektivitetit, dhe lejuat që realiteti t’ia kalojë fiksionit”.

Megjithatë, Rama qartësoi se nuk duhet të keqkuptohet përpjekja e tij, meqë “s’jam këtu për “dhomat e specializuara e asgjë që lidhet me procesin gjyqësor”.

“Jam këtu për të vënë në diskutim burimin, vetëm burimin e infektuar, të neveritshëm”.

Një pjesë e fjalimit të Ramës është koncentruar edhe në dualitetin që bashkësia ndërkombëtare ka përdorur në rastin e Kosovës, kur fillimisht vetëm bëri përpjekje për ta çliruar një vend që jetonte në robëri dhe më pas po vetë, përmes mekanizmave të saja, vuri në mëdyshje gjithë atë ndërhyrje që në thelb kishte aksionin humanitar për të drejtat e njeriut.

“Ka një analogji midis carit që ulet në fronin e Kremlinit dhe Kasapit që mbante pozicionin e komandantit të përgjithshëm të Serbisë. Janë dy kombe me të drejtën për të jetuar të lirë në gjuhën e tyre kulturën e tyre, përndjekur nga demon të së shkuarws. Ka dy tiranë të dëshpëruar, një i vdekur e tjetri që luan më vdekjen, duke iu qepur vizioneve të madhështisë së shkuar”.

“Dekada represioni të ashpër të mirë dokumentuar me operacione barbarike i spastrimit etnik i kryer nga Slobodan Millosheviç solli rezultat zhvendosjen e qindra mijërave, mijërave vdiqën, 20 mijë gra u përdhunuan e ndërkohë që flasim 1600 persona janë të zhdukur. Të gjellët kërkojnë të humburit, të vdekurit s’kanë gjetur paqen e varrit. E gjitha eskaloi nën hundën e bashkësisë ndërkombëtare. U deshën vite që bota të gjente parimet morale që të vepronte në përputhje me to, por ndodhi, falë zotit ndodhi”.  /Albanianpost.com