Report Tv ka zbardhur ekskluzivisht dëshminë e shokut të Aldi Ramës, i riu i cili qëlloi për vdekje në Lezhë nënkomisarin Saimir Hoxha.

Vetëm 21 vjeç dhe Aldi Rama kishte provuar 2 herë burgun, para se të kryente krimin e rëndë duke qëlluar për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha një ditë më parë. Duket se rruga e krimit që mori Aldi Rama nuk ishte edhe rastësi, diktuar më së shumti nga jeta e vështirë që ai kishte kaluar.

Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv, shoku i të riut, Ergus Gj. ka rrëfyer se për Aldi Ramën gjërat nuk kanë qenë të thjeshta, ndërsa prindit ishin të divorcuar dhe i ati i dënuar përjetë në Greqi. Ai rezulton i dënuar për një krim të rëndë, pasi ka masakruar me motosharrë një grek.

Shoku i Aldi Ramës thotë se atë e ka njohur per shkak se Aldi kishte qenë në të njëjtën qeli me vëllain e tij.

“E kam patur shok Aldin, ka qenë në një qeli me vëllain tim. I çoja ushqime çdo ditë edhe vëllait tim edhe këtij. Aldi ka qenë 2 herë në burg, në 2018 dhe njëherë në 2020. Njëherë për një problem me një person dh enë 2020 që e kapën me 20 qese hashash e një thikë. Ndenji disa muaj në burg. Ka patur jetë të vështirë, prindërit i ka të divorcuar. Babin e ka në burg ka vrarë një grek e ka masakruar me motosharrë, është i dënuar për jetë”, ka treguar ai për Report Tv.

Aldi Rama nderroi jete mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës, pasi qëlloi veten me pistoletë në fyt ditën e djeshme, në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë.

Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e djeshëm në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve. Saimir Hoxha, bashkë me 3 kolegë të tij ishin pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike, kur u përballën me autorin, pasi ishin në inspektim për parcelë droge.  Ata i bënë me shenjë Aldi Ramës dhe shokëve të tij që të ndalojnë automjetin, por i riu shtiu me armë në drejtim të tyre dhe plumbat i morën jetën nënkomisarit.

Shoku i Aldo Ramës, autorit që ekzekutoi dje nënkomisarin Saimir Rama, në një intervistë ekskluzive për Report Tv, thotë se ai nuk beson se ai ka vrarë veten, por e ka vrarë policia, pasi sipas asaj që ai dinte ka pasur plumba automatiku dhe jo pistolete.

‘Unë kam qenë tek shtëpia kur më ka dalë gjumi, pash ne telefon filan fistëku ka bërë këtë gjë, nuk po e besoja. Aldi Rama vret policin, po si thonë se ka vrarë veten unë them se shteti do të mbulojë të veten, pasi policia i ka gjuajtur tij, se mua më tha një shok se ka plumba automatiku e jo pistolete. Dje kam qenë me të duke bërë xhiro nëpër Lezhë. E ka pasur jetën e vështirë. Do ishte mirë që të dorëzohej, se i ka gjuajtur vetes mua nuk më besohet, por polica do të mbulojë veten. Me ka trondit shumë, më ka ik truni kur e mora vesh si shoku jonë vrau efektivin e policisë. Kam qenë i shokuar.’- tha ai.