(Fizikani Serge Galam, i cili parashikoi fitoren e Trump, shpjegon se abstenimi i diferencuar mund t’i japë fitoren kandidates së Frontit nacional)/.

Nga: THOMAS MAHLER/

Le Point.fr

Serge Galam, fizikan, drejtor kërkimor në CNRS, Qendra kombëtare e kërkimeve shkencore, dhe anëtar i  Cevipof i Sciences Po, mbështet idenë se një fitore e Frontit Nacional nuk është për t’u përjashtuar përfundimisht në turin e dytë.

Turi i parë shënjoi fitoren e instituteve të sondazheve përballë përpunuesve të të dhënave big, si Filteris, një institut kanadez që i bazon parashikimet e tij nga monitorimi i rrjeteve  sociale. Për turin e dytë, anketuesit e japin gjerësisht fitues Emmanuel Macronin, në shifrat rreth 61 % përkundrejt 39 % për Marine Le Pen.

Por Serge Galam, fizikan, drejtor kërkimor në CNRS, Qendra Kombëtare e Kërkimeve Shkencore, dhe anëtar i  Cevipof i Sciences Po, mbështet idenë se një fitore e Frontit Nacional nuk është për t’u përjashtuar përfundimisht në turin e dytë. “Argëtuese është të shohësh anketuesit që janë tejet krenarë që kanë goditur në shenjë. Ata kanë të drejtë, por kjo nuk është garanci për të mos gabuar kësaj here. Duhet pak përulësi, sepse nuk ka mjete të besueshme 100 %”, shpjegon ai në telefon.

Shpikës i sociofizikës, përzierje e  sociologjisë dhe ekuacioneve, Serge Galam, me modelet e tij, paralajmëroi fitoren e Donald Trumpit në SHBA apo edhe shpartallimin e Alain Juppé në garën mes kandidatëve të së djathtës. Edhe pse, kësaj here diferenca duket e pariparueshme, shkencëtari siguron se nuk mund ta përjashtojmë 100 % që kandidatja e Front Nacional të mos arrijë shumicën. Për shkencëtarin, duhet parë së pari nëse Marine Le Pen do të realizojë një dinamikë në aksionin e saj gjatë ditëve në vijim. E më pas, ditën e votimit, duhen bërë llogaritë edhe me abstenimet e diferencuara. “Zgjedhësit që votuan Fillon-in apo Mélenchon-in e kanë bazuar analizën e tyre mbi kritikën e  hollandizmin apo të liberalizmit.

Të votosh Macron-in në turin e dytë përfaqëson për ta një kosto etike dhe ideologjike. Për më tepër, është edhe hidhërimi i lidhur me ndjenjën e çveshjes nga vota, duke e ditur se Mélenchon-i apo Fillon-i mund të kishin qenë në turin e dytë. Përballë kësaj situate të pashoqe dhe kësaj kontradikte, rrezik të ketë një abstenim të padeklaruar. Ditën e votimit, çdo justifikim mund të jetë bindës për të mos shkuar në qendrat e votimit. Është njësoj si ajo pilula e hidhur që e dimë se duhet ta marrim, por që do të rrekemi me të gjitha mënyrat për ta shmangur. Sondazhet nuk mund ta identifikojnë këtë. Prandaj është në interesin tonë të kemi një formulë matematike”.

Nuk jam duke parathënë një fitore të Marine Le Pen-it, po them thjesht se nuk jemi të sigurt që kjo nuk do të ndodhë.

Sipas modelit të shkencëtarit, nëse Marine Le Pen është kësisoj në nivelin e 42 % të votave të mundshme përpara votimit dhe se pjesëmarrja globale në votime është 76 %, kandidatja frontiste mund të arrijë një rezultat 50,07 % nëse 90 % e njerëzve që duan votojnë për të e bëjnë efektivisht, dhe nëse vetëm 65 % e njerëzve që thonë se duan të votojnë për Macron-in nuk shkojnë në zgjedhje. Një hipotezë gjithsesi pak realiste. “Unë mendoj se pjesëmarrja e votuesve për Macron-in do jetë mbi 65 %”, pohon fizikanti. Por, nëse Marine Le Pen është në nivelin e 44 % të votave të mundshme në vigjilje të votimeve dhe nëse marrin pjesë në votim 90 % e njerëzve që duan të votojnë për të, kandidatja do të fitonte me 50,25 % të votave të shprehura nëse pjesëmarrja për Macron-in është 70 % (dhe nëse pjesëmarrja globale ngrihet në 79 %). “Me 44 % të votave, do të hynim atëherë në një zonë të mundshme. Nuk jam duke parashikuar një fitore të Marine Le Pen, po them thjesht se nuk jemi të sigurt se kjo nuk mund të ndodhë. Është e tepruar ta dërgosh që tani Macron-in në Élysée”.

Me ekuacionet e tij, Serge Galam është kritikuar ashpërsisht nga anketuesit. Ai siguron se duhen “kombinuar sondazhet, të dhënat big dhe modelizimi, sepse të gjitha qasjet mund të kapin një pjesë të realitetit. Praktika e sondazheve jep rezultatin e saktë kur nuk ka ndryshim brutal. Por ekzistojnë sjellje jo lineare tek zgjedhësit që krijojnë një ndarje, dhe sondazhet nuk mund ta parashikojnë këtë”. Fizikanti pohon se nuk kërkon të bëjë publicitet të vetes duke tundur spektrin e një Marine Le Pen-i presidente të Republikës. “Nuk kam ndonjë libër apo ndonjë shërbim për të shitur. Interesi im është të lëmoj një model dhe të lëshoj alarmin për një rast si ky. Unë nuk kam asnjë problem për të mashtruar veten”. Serge Galam betohet madje se nuk po u shërben hipotezave të tij: sa më shumë të alarmohen njerëzit për këtë abstenim të diferencuar, aq më shumë do të shkojnë të votojnë masivisht, çka do të dënonte shpresat frontiste…

/Veritas.com.al/