Alarmi nga frika e sulmeve të mundshme terroriste në Shqipëri, ka bërë që Shërbimi Informativ i Shtetit të shtojë numrin e agjentëve në terren që mbajnë nën mbikëqyrje 6 xhami në vend, të cilat janë ende jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
SHISH po vëzhgon personat që hyjnë në këto xhami, disa prej të cilëve kanë qenë më parë në Siri ku kanë luftuar dhe janë kthyer përsëri në Shqipëri. Autoritetet kanë një listë me emrat e këtyre personave, të cilët konsiderohen të rrezikshëm. Gazeta “Shqip” shkruan se pjesa më e madhe e agjentëve të SHISH është përqëndruar në qytetet Elbasan, Cërrik, Pogradec, Shkodër, Librazhd, Tiranë, Kavajë dhe Bulqizë. Këta persona që janë në listën e policisë nuk lejohen që të dalin jashtë shtetit për shkak të lidhjeve që mund të kenë. 

Nga ana tjetër, autoritetet kufitare kanë gjithashtu edhe një listë të personave të huaj, kryesisht atyre nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilëve u refuzohet hyrja për në Shqipëri, siç ishte rasti i dy arabëve që tentuan të hynin në vendin tonë para disa javësh, por nuk u lejuan.

Policia ka shtuar masat e sigurisë gjatë këtyre ditëve në vendet me popullaritet të lartë, kurse Garda ka rritur numrin e efektivëve që ruajnë institucionet shtetërore.