“Sipas të dhënave të sigurara nga gazeta Nova, lista e kontakteve që kompania lobuese ka raportuar në lidhje me Serbinë gjithashtu përfshin Riçard Grenellin, të dërguarin special të atëhershëm të presidentit amerikan për Kosovën dhe Serbinë, si dhe Metju Pallmerin, që atëherë ishte përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor”, shkruan gazeta Nova.

Në regjistrin zyrtar amerikan FARA, në të cilin janë regjistruar të gjithë lobistët nga ShBA dhe janë publikuar kontratat e tyre, nuk ka asnjë informacion se Qeveria e Serbisë ka bërë marrëveshje me një shtëpi lobimi në atë vend, shkruan më tej kjo gazetë

“Mirëpo, këtë e ka bërë Oda Ekonomike e Serbisë, e cila ka lidhur disa kontrata me kompaninë “Yorktown Solutions” për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022. E fundit është nënshkruar vetëm tetë ditë më parë”.

“Sipas dokumentit, kompania është e detyruar të ofrojë “këshilla strategjike në lidhje me temat e trajtuara nga SCC, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet ekonomike ShBA-Serbe”. Kjo përfshin, siç thuhet më tej, “çështjet e menaxhimit dhe çështjet e qeverisë, të cilat pritet të përfshijnë kontakte me zyrtarë të qeverisë amerikane dhe përfaqësues të sektorit privat përkatës”, përfundon kjo gazetë.

Ndërkaq Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç përmes një cicërime në Twitter i ka reaguar portalit të lajmeve serbe, Nova.rs e cila gjatë ditës publikoi një artikull ku pretendonte se “Grenell dhe Pallmer kanë qenë në listën e kontakteve të lobuesëve amerikanë për Serbinë”.

“E mohoj kategorikisht gënjeshtrën brutale dhe të turpshme në faqen e parë të tabolidin Nova: se Matthew Palmer dhe Richard Grenel janë lobistë për Serbinë”, ka shkruar kryeministrja e Serbisë.

Ajo tha se “është e frikshme se si është servuar kjo gënjeshtër (janë në listën e kontakteve, pra janë, mesa duket, lobistë”.

“Gënjeshtrja të tilla”, shkroi Bërnabiç, “shkaktojnë dëm të drejtëpërdrejtë Serbisë”./ AP/

VERITAS.COM.AL