Prokuroria e rrethit gjyqësor të Lushnjës ka zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik të ndodhur fundjavën e kaluar, që i mori jetën gazetares së televizionit ‘Klan’, Erinalda Isufaj, si dhe shkaktoi plagosjen e tre personave të tjerë, të afërm me viktimën.

Nga hetimet paraprake dhe këqyrjes së vendngjarjes, grupi i hetimit ka konstatuar tre shkelje të cilat dyshohen se kanë sjellë edhe pasojat tragjike.

Ato janë: tejkalimi i kufirit të shpejtësisë nga 40 që ishte e përcaktuar- në 60 kilometra në orë nga drejtuesi i kamionit; manovrimi i drejtuesit të kamionit për të realizuar një parakalim që mbeti në tentativë për shkak të distancës së shkurtër, ç’ka solli në çekuilibrimin e ngarkesës që mbante blloqe mermeri dhe rrëzimin e njërit prej tyre në rrugë, duke rënë mbi autoveturen tip “Peugeot”, ku udhëtonin vakza që mbeti viktimë dhe të plagosurit.

Një tjetër konstatim i grupit të hetimit, është se blloqet e mermerit ishin të palidhur në karrocerinë e kamionit dhe ishin vendosur mbi disa kolona druri.

Vetë drejtuesi i kamionit, Bashkim Pula, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk ka pranuar të japë shpjegime për këtë aksident, duke kërkuar një mbrojtës ligjor.

Përse ndodhin aksidentet, ekspertët: Jo vetëm gjoba

Eksperti auto-teknik Artur Sulçe shpjegon për Top Channel se sa i rëndësishëm është respektimi i rregullave të sigurimit të ngarkesës dhe përllogaritjes së peshës së rëndesës në vendosjen e ngarkesave në kamion, jo nga shoferi por nga persona të përgatitur për këto punë.

“Nëse ata (blloqet e mermerit) nuk janë të ekuilibruar, mund ta nxjerrin kamionin nga kthesa, ose kur nuk janë të fiksuar mund të dëmtojnë vetë drejtuesin e mjetit apo të tjerët në një manovër apo frenim para ndonjë pengese në rrugë. Pra, në një kthesë, kamioni nuk batohet vetëm për shkak të rrezes së kthesës, por për shkak edhe të ndërveprimit të forcave para të cilave njerëzit habiten. Por ky është elementi i ngarkesës, të cilit duhet t’i kushtohet rëndësi”, thotë zoti Sulçe.

Sulçe ka shpjeguar edhe se çfarë i ndodh kamionit kur ai ngarkohet mbi kapacitetin e përcaktuar.

“Nëse ne do të ngarkojmë një mjet me 10 apo 15 për qind më shumë sesa kapaciteti i tij, atëherë të jeni të bindur që ai mjet nuk mund ta kryejë më funksionin për të cilin është krijuar dhe në një ndalesë, nëse duhet ta bëjë për 30 metra do ta bëjë për 40 apo më shumë metra, ose nuk do ta bëjë fare”

Veritas.com.al/