Sot, dita 24 e protestës, para protestuesve erdhi gazetari Dritan Hila, ancorman i TV Ora News.

Ai tha se nuk e kishte menduar se do të fliste ndonjëherë përballë demokratëve, sepse “më shumë mendime e ndajnë sesa e bashkojnë me të djathtët”, por shtoi se kauzën e opozitës për zgjedhje të lira  e mbështet fillimisht si qytetar e më pas si gazetar.

“Ne nuk mund ta bëjmë këtë vend të ndarë. Pavarësisht se na ndajnë mendimet, kjo nuk na bën armiq, thjesht kemi mendime të ndryshme për mënyrën se si duam të shkojmë përpara. Janë më të mëdha gjërat që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Mua më tërbon kur dikush flet me arrogancë dhe akoma më tepër kur kjo bëhet ndaj opozitës e cila minimalisht përfaqëson 35% të shqiptarëve. Ne nuk e kemi luksin të humbasim Partinë Demokratike”.

“Partia Demokratike e ka potencialin për ta çuar këtë vend përpara ashtu si bëri edhe 26 vite më parë , tha Hila, i cili i kërkoi PD-së të përmbushë rolin e saj historik.

“Shikoni përpara, ndërtoni lidershipin tuaj të ri, krijoni një parti popullore sepse jeni parti e cila i ka të gjitha potencialet”, tha moderatori i programit “Arena” në Tv OraNews

Hila u shpreh i zhgënjyer nga qeverisja e kryeministrit, të çilin e ka mbështetur në vitet e para të marrjes së pushtetit, pasi sipas tij  Rama nuk ndërtoi atë për të cilën qytetarët e votuan.

“E kam thënë tezën që Rama duhet ndalur dhe nuk e tërheq. Unë jam i majtë në ambient të djathtësh. Duhet të jesh pak kokëkrisur që t’i dalësh pushtetit kur je kundër tij dhe unë prandaj ju vlerësoj ju për këtë revoltë. Unë bëj timen, jo gjithmonë pa kosto, por ja vlen”- tha gazetari Hila.