Një gëzhojë arme 9­ milimetërshe u gjet në Fushë-Kuqe, në rrugën drejt Lagunës së Patokut, pikërisht në vendin ku deputeti Armando Prenga u përball me armë me anëtarët e familjes Cali. Gëzhoja u përfshi në aktet e ekspertimit që paraqiti në Gjykatë, avokati i Armando Prengës. Mbi këto proçesverbale, u bazua trupi gjykues, në Gjykatën e Lartë që liroi nga burgu deputetin.Burime nga prokuroria thanë se gëzhoja u gjet në vendin e ngjarjes thuajse 50 ditë pas “përplasjes” mes deputetit Armando Prenga dhe anëtarëve të familjes Cali.
Pavarësisht se kishin kaluar 50 ditë, gëzhoja siç thuhet në procesverbal është gjetur “në këmbë”, pra në pozicion vertikal. Nga këqyrja e saj, rezultoi se gëzhoja ishte fringo e re dhe thuajse e pandikuar nga pluhuri dhe lagështira.
Pikërisht ky detaj i ri në dosje, vuri në levizje Gjykatën e Lartë, që pas konfuzionit të prokurorisë në lidhje me akuzat kundër deputetit, dha vendimin për lirimin e tij.