Gjeneral Rrahman Parllaku mbetet mbi të gjithë një hero i gjallë, u bë 100 vjeç dhe mund ta takosh në salla, në kafe me miq, dhe në park. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Bashkia e Tiranës e ka nderuar atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, një nga figurat emblematike të Luftës së Dytë Botërore, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste.

Titulli iu dorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vlerësoi gjeneral Parllakun si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.

Gjenerali Rrahman Parllaku është ndër të paktët partizanë të Luftës së Dytë, që jeton dhe dëshmon histori të tre kohëve. Kryetari i Bashkisë, gjatë ceremonisë,  u shpreh se gjeneral Parllaku është simboli i njerëzve që pavarësisht sakrificave, ka dhuruar vetëm dashuri dhe mirësi. “Si djalë i ri që je, vetëm 100 vjeç, them se i bën nder qytetit tonë të të shpallim simbol të Tiranës’, deklaroi Veliaj.

Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku kujtoi betejat në luftën për çlirimin e Tiranës, ndërsa theksoi në këtë 100-vjetor të tij se jeta është e këndshme me të mirat e të këqijat e saj.

“Në Tiranë kam ardhur me Brigadën e III-të dhe luftova një muaj e gjysmë. Kemi bërë 22 aksione brenda qytetit, komandën e kishim në Priskë. Kur kujtoj këto ngjarje, ato baticat e zbaticat e mia në jetë, them që jetova. Jeta nuk është siç thonë: ‘hyra këtu e dola atje!’. Jeta është e këndshme, me të mirat e të këqijat e saj. Edhe nga të këqijat, edhe nga burgu, mësova diçka. Njeriu mëson edhe nga vuajtjet, jo vetëm nga të mirat; mëson edhe nga të këqijat. Ju faleminderit për nderimin”, tha Parllaku.

Veritas.com.al/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.