Sot Gjykata e Apelit Tiranë rrëzoi ankesën e paraqitur ndaj Presidentit të Republikës për dekretimin e zgjedhjeve për pushtetin lokal në Dibër. Presidenti Nishani kishte dekretuar datën 11 shtator si ditë të zgjedhjeve në këtë rajon. Partia Socialiste nuk e pranoi dekretin e Presidentit; prandaj bëri ankesë në gjykatë me arsyetimin se “afati i caktuar në dekret është jashtë ligjit”.

Analistë të ndryshëm kanë konstatuar se pakënaqësia e Partisë Socialiste ndaj dekretit të Presidentit vinte si shkak i mospranimit të zgjedhjeve të reja lokale në Dibër. Vendi i kryetarit të Bashkisë në Dibër mbeti vakant qëkur kryetari i saj, Shukriu, u përfshi në një skandal seksual dhe u burgos. Kryetari i dënuar nga gjykata “për shpërdorim detyre” ishte socialist. Partia Socialiste tentoi që me anë të ankesave në gjykatë ta shtynte sa më shumë largimin e një socialisti nga kryesimi i Bashkisë së Dibrës.

Ky ishte preteksti i ankesës për  “dekretin jo ligjor” i Partisë Socialiste

Sekretarja për Koordinimin Elektoral, Blerina Gjylameti tha se presidenti nuk kishte respektuar afatet për hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kur nxorri dekretin. Ndërkohë sipas presidentit pretendimi i socialistëve nuk qëndronte, pasi në të gjitha rastet data e zgjedhjeve do të ishte ose 4 ose 11 shtatori.

Argumentet juridikë të Partisë Socialiste nuk e kanë bindur gjykatën për anulimin e dekretit të presidentit. Pas vendimit të sotëm, garantohet se zgjedhjet në Dibër do të zhvillohen të dielën e 11 shtatorit.