E ashpër dhe e drejtpërdrejtë, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim i cilësoi të papranueshme grupet e armatosura të PD për mbrojtjen e votave. Kim tha se kjo gjë e tmerrshme i përket të shkuarës dhe s’ka lidhje me një shtet të NATO-s, deklarata që i bëri pas takimit me kreun e KQZ-së, Ilirian Celibashin.

Kim falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së, Lulzim Bashën për thirrjet për qetësi, por nuk përmendi Presidentin Ilir Meta.

Ajo bëri thirrje që personat përgjegjës për ngjarjen që ndodhi dje në Elbasan të ndëshkohen pa përjashtim duke theksuar edhe njëherë se nuk duhet të ketë trajtim të veçantë për askënd dhe se askush nuk është mbi ligjin.

Duke e vënë theksin te rëndësia e këtyre zgjedhjeve për vendin, Yuri Kim bëri po ashtu me dije se vetë ajo do të jetë pjesë e një prej grupeve të 25 ekipeve të SHBA që do të monitorojnë zgjedhjet më 25 prill.

Ambasadori i BE, Lugi Soreca, gjithashtu i pranishëm në takimin me kreun e KQZ-së, i ka konsideruar zgjedhjet e 25 prillit shumë të rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë, pasi tha se po merret në konsideratë edhe çelja e konferencës së parë ndërqeveritare. Soreca theksoi se BE po ndjek me nga afër gjithçka që po ndodh në vend, ndërsa i bëri thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe shmangie të gjuhës së urrejtjes.

“I bëj thirrje qytetarëve që të votojnë, të përdorin të drejtën dhe përgjegjësinë që kanë për të votuar sepse në këtë mënyrë ta votojnë për të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë në BE. Këto zgjedhje janë qartësisht shumë të rëndësishme për të gjithë Shqiptarët dhe BE po ju ndjek nga afër, po ndjek nga afër gjithçka që po ndodh në Tiranë dhe të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Çfarë ndodh në Tiranë dhe Shqipëri do të jetë e rëndësishme për BE sepse jemi duke marrë në konsideratë lancimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe ndaj është shumë e rëndësishme se çfarë do të ndodhë në Shqipëri, veçanërisht të dielën. Theksoj edh enjë herë thirrje për të gjithë për vetëpërmbajtje dhe të shmangin gjuhën e urrejtjes, është e rëndësishme që gjithçka të bëhet siç duhet ditën e diel dhe të ardhme. Shkoni votoni, në veçanti të rinjtë, ti vendos”, tha Soreca.

Ngjarja e rëndë në Elbasan ndodhi një ditë më parë, ku mbeti i vrarë aktivist i PS-së, Pjerin Xhuvani që u qëllua për vdekje nga ish-polici i RENEA-s, Arbër Paplekaj, pjesë e strukturës së armatosur në PD të vetëshpallur si mbrojtës së votës. Të plagosur mbetën edhe 4 persona të tjerë, mes tyre një punonjëse policie e cila ka ndërhyrë në vendngjarje për të shuar krimin. 10 anëtarët e grupit të armatosur të PD të krijuar në Elbasan nga Gazment Bardhi, me në krye drejtuesin e tyre, Arjan Hoxha, janë arrestuar për akuzat e pengmarrjes me dhunë dhe vrasjes. Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit hodhi poshtë pretendimet e opozitës se grupi i tyre tentoi të parandalonte një rast të shitblerjes së votës. Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se nuk ka asnjë provë për shitblerje votash.

VERITAS.COM.AL