Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një deklaratë për mediat bëri me dije se rimëkëmbja ekonomike dhe arritja e objektivit të çmimeve po realizohen sipas parashikimeve optimiste të BSH-së.

Sipas tij,  Shqipëria u përball me disa goditje gjatë këtyre dy viteve, të cilat ndikuan fort mënyrën e jetesës, testuan ekuilibrat ekonomikë, monetarë dhe financiarë të vendit, si dhe qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes.

Sejko theksoi se qëndrueshmëria e stabilitetit ekonomik dhe financiar varen jo vetëm nga puna e institucioneve monetare por edhe nga aftësia dhe kapaciteti i shoqërisë për të vepruar me shpejtësi dhe efikasitet në luftën kundër pandemisë.

Kjo së pari dhe mbi të gjitha në aspektin shëndetësor, ku vaksinimi dhe me shpresë kurat që do të zhvillohen, shndërrohen në instrumente të fuqishme për kufizimin e efekteve të pandemisë në ekonomi e në financë.

“Vazhdimi i politikave stimuluese monetare dhe fiskale garantuan stabilitetin monetar edhe financiar të vendit, nxitën kreditimin me kosto të ulët të aktivitetit ekonomik, si dhe lehtësuan barrën që zgjatja e pandemisë vendosi mbi sektorin privat dhe familjet”, u shpreh guvernatori.

Ai ka siguruar se Banka e Shqipërie do të vijojë të jetë një institucion transparent, i gatshëm të japë opinionet dhe vlerësimet e saj në të gjitha debatet publike që lidhen me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe tregjet financiare.

“Dëshmi e këtij angazhimi dhe e suksesit të Bankës së Shqipërisë në komunikimin me publikun është edhe renditja në vendin e parë nga të gjitha bankat e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore për komunikimin mjaft aktiv me publikun”, finalizoi guvernatori deklaratën.