Qeveria Ruse ka dëbuar një diplomate  shqiptare në formë hakmarrje pas dëbimit nga Tirana dy javë më parë të sekretarit të dytë të ambasadës ruse në Tiranë.

 Diplomatja e dëbuar është Jonida Drogu. Asaj i  janë lënë në dispozicion 72  orë për tu larguar nga Rusia. Ministria e Punëve të jashtme e Rusisë në një deklaratë për median jep shkaqet e  dëbimit të diplomates shqiptare.

“Ambasadorit të Shqipërisë iu dorëzua vendimi për shpalljen person non grata të sekretares së parë të ambasadës shqiptare në Moskë, Jonida Drogu. Ky hap ndërmerret nga Rusia si përgjigje të vendimit të Shqipërisë për të larguar nga vendi përmes një preteksti sekretarin e parë të ambasadës ruse në Tiranë”.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë më tej e lidh dëbimin e diplomatit të saj nga Tirana me çështje të brendshme politike në vendin tonë.

“Ne e konsiderojmë veprimin e palës shqiptare si një provokim për të fituar pikë politike në kushtet e fushatës elektorale që ka nisur në Shqipëri duke luajtur bashkërisht me forcat anti-ruse në Perëndim për të marrë mbështetje. Veprimet e palës shqiptare, bien në kontradiktë me garancitë e dhëna nga Tirana për dëshirën e mirë të zhvillimit e marrëdhënie mes dy vendeve. Por në fakt ata e shkatërruan këtë perspektivë për marrëdhënie të mira bilateral. Kjo është për të ardhur keq”.

Lajmi i dëbimit u publikua nga Sputnik menjëherë sapo ambasadori shqiptar Arben Gazioni kishte mbërritur në godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Diplomatja Jonida Drogu mbulonte veprimet konsullore e si pasojë e dëbimit të saj ambasada  shqiptare në Moskë nuk do të mundë të realizojë shërbime konsullore, ndërsa në ambasadë mbetet vetëm ambasadori. Rusia dhe Shqipëria edhe më parë kanë dëbuar diplomatë. Të parët ishin dy diplomatë rusë të cilët u dëbuan nga Shqipëria si një veprim i koordinuar me vendet aleate, e më pas Rusia u përgjigj duke dëbuar dy shqiptarë.

 VERITAS.COM.AL