Frrok Çupi/

Para gjashtë orësh u dha lajmi se në Venezuelë ka plasur frika e një grushti shteti brenda shtetit. Nuk i dihet se çfarë do të ndodhë pas kësaj ore, por grushti ka ndodhur: Maduro ndodhet përballë. Maduro është majtist ekstrem,  president i vendit, pasues i Hugo Cavez.

Hija e grushtit të Maduros shfaqet qartë mbi Tiranë.

Çfarë është e përbashkët këtu në Tirana, krahasuar me “grushtin” në Caracas?

E para:

Thelbi i grushtit: Në Venezuelë është një ndryshim thelbësor i Drejtësisë. Edhe këtu thelbi është: Reforma në Drejtësi. Këtu qeveria kërkon reformë në Drejtësi me qëllim që të betonojë pushtetin e vet duke shtënë në dorë Drejtësinë. Nuk e keni vënë re se qeveria “nuk e çan kokën” pse ka protestë?! Qeveria bredh nëpër botë dhe kërkon… asgjë tjetër, veç Reformën në Drejtësi. Brenda përbrenda ka angazhuar militantë dhe “dele” që kërkojnë “Reformë!’. Pasi të fusë në dorë Drejtësinë (me anë të kësaj Reforme), qeveria nuk do t’ia dijë më për protestë apo për kundërshtarë… Kjo është e tëra. Në Venezuelë, sapo presidenti majtist, Maduro, vuri re se po i rrëshqiste pushteti, kërkoi Reformë në Drejtësi. Sot në mëngjes, Gjykata Supreme,- sipas kërkesës së tiranit, vendosi që t’i heqë Asamblesë Kombëtare (Kuvendit) të drejtën e pushtetit legjislativ dhe t’ia kalojë një njeriu- Presidentit Maduro… Ky është grushti. Tani të shikojmë çfarë mund të ndodhë.

E përbashkët e dytë:

Presidenti Maduro, prej vitesh, që pas vdekjes së Hugo Cavez, rrëshqiti drejt vetmisë. Ka ardhur momenti kur Asambleja Kombëtare (Kuvendi) dominohet nga opozita; Maduro ka 54 anëtarë, ndërsa opozita 109 anëtarë. Si do ta fuste në dorë një Asamble që ka shumicë kundërshtare?… Në Kuvendin e Shqipërisë, pas pak qeveria do të ketë vetëm 60 ose 61 deputetë, në një sallë me 140. I njëjti fenomen si Venezuela. Kryeministri këtu ka mbetur i vetëm: LSI po merr plaçkat, PDIU nuk guxon të hyjë në një pushtet pa opozitë, social-demokratët dhe vice- versa, nuk e “hanë ullirin” pa opozitë. Atëherë kryeministri Rama do të kapet te Reforma e Drejtësisë. Me “Reformën” do të fusë në duar  të gjitha pushtetet…; e çfarë i duhet shumica parlamentare?…  Maduro bëri të njëjtën gjë sot: Bëri Reformën dhe me vendimin  Drejtësisë së kontrolluar prej tij mori në dorë fuqinë ligjvënëse të Kuvendit.

E përbashkët e tretë:

Si lufton Maduro kundër opozitës?

Opozitën e injoron, ose i punon rengje… Nuk e dëgjuat çfarë ndodhi sot në Durrës me Nar Kokën- vëlla i ministrit Koka i LSI dhe ndërlidhësi i darkës së famshme të “ngjalave” Rama- Meta? Sot e burgosën Narin… Pse? Për shantazh kundër LSI të Metës dhe kundër historisë “me ngjala”. Tiranët i fshijnë ngjarjet e historisë së tyre.  Nari tha se e burgosën për shkak të drogës që u kap në Itali, e cila i përkiste administratës qeveritare…. Sa ngjan historia e Venezuelës me historinë e këtushme! Maduro ka sulmuar tre deputetë të opozitës dhe i ka nxjerrë nga parlamenti. I ka akuzuar se nuk kanë fituar ndershmërisht; ka sajuar rengje. Këtu janë sulmuar disa deputetë që nuk i donte Rama, sidomos katolikë nga Veriu. Por Roshi i Kavajës dhe ai tjetri i Krujës- kurrë. Megjithatë numri i përkrahësve është ulur si në Caracas edhe në Tiranë. Prandaj të dy kanë përdorur “Reformën në Drejtësi”.

E përbashkëta e katërt:

Kriza ekonomike. Këtu ekonomia e familjeve shqiptare mund të bjerë poshtë bukës së gojës. Gjithçka bën qeveria është një falsitet, një fasadë…, dmth, një inflacion. Inflacion premtimesh, inflacion pikturash, inflacion arrogance… I vetmi prodhim ëhstë droga, që më vete është dështim. Në Venezuelë inflacioni ka mbërritur në shifrën në 1.660 për qind. Qeveria është shumë anti- popullore, si edhe këtu.

Çfarë ndryshimi ka mes Maduros dhe Ramës?

1.

Në Venezuelë lideri i Opozitës, Leopoldo Lopez,  ndodhet në burg, i dënuar me 13 vjet e nëntë muaj për shkak të një demonstrate opozitare. Edhe këtu shpëtoi “ngjashmëria” sepse qeveria u nis të burgoste liderin  opozitës për “Çadrën”.

2.

Ndryshon edhe mbështetja e shpallur. Në Venezuelë nuk ka BE , por fatmirësisht ka Amerikë. Shtetet e Bashkuara janë prononcuar menjëherë dhe kanë deklaruar se “po shkelet demokracia” për pushtetin e një njeriu. Këtu akoma nuk ka ardhur kjo fjalë që pritet.

3.

Atje grushti ndodhi sot; këtu po ndodh ngadalë.

/Veritas.com.al/