(FOTO: Kanioni ku u izoluan policët)/

Dy punonjës policie kanë mbetur të bllokuar në kanionet e Progonatit- Tepelenë që para 24 orësh. Kishin hyrë në humnerat e Nivicës për të kontrolluar nëse kishte drogë të mbjellë, por nuk mund të dilnin me. Me gjithë përpjekjet e të gjitha specialiteteve të Policisë, do të ishte e pamundure shpëtimi i tyre pa ndihmën e një ‘arkitekti’ bari. Bariu e njihte mirë terrenin, daljet dhe hyrjet e humnerave…

 

Shefi i Rendit të Komisariatit të Policisë Tepelenë  Komisar Roland Zhapa së bashku me SPZ-në e zonës Inspektor Fejzo Meçe, pasi morën disa informacione se ‘ka drogë’ u futën poshtë në kanione për të ushtruar kontroll. Nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara, por kanë mbetur vetë të izoluar.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë, nuk ishte e mundur t’ju vihej në ndihmë- tha Policia e Tepelenës.

Drejtori i Policisë së Shtetit ka urdhëruar alpinistët e repartit RENEA për të shkuar në ndihmë të tyre, pasi helikopteri e ka pasur të pamundur të ulej.

Alpinistët e Reneas janë afruar në zonë, por për shkak të errësirës  janë tërhequr.

Sot në mëngjes  kanë vijuar përpjekjet nga alpinistët e RENEAs, por përsëri ka qenë e pamundur për shkak te terrenit.

Ne drejtim të tyre është nisur helikopteri i Emergjencave Civile, por për shkak të erës së fortë është ulur në fshatin Krahës të Tepelenës, në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, pasi e ka të pamundur kryerjen e operacionit të shpëtimit.

Sot, rreth orës 12:25 punonjësit e Policisë janë nxjerrë nga izolimi me ndihmën e punonjësve të policisë dhe të një bariu që e njihte mirë terrenin.

Punonjësit e Policisë  tashmë  kanë dalë nga zona me rrezik  duke vijuar lëvizjen të shoqëruar nga kolegët dhe një mjek i cili po kujdeset për gjendjen shëndetësore të tyre. Pritet që të shtrohet një drekë, të paktën, për bariun ‘hero’.

/Veritas.com.al/