Më vonë mund të themi pse nuk e kemi besuar misterin e shkrimtarit. Por ai vetë, me sa duket,  ka zgjedhur të mbetet misterioz.

Henrik S. Gjoka është një prej atyre shkrimtarëve që nuk do të jetë në qendër të vëmendjes, nuk do të flasë,  por le të flasin librat e tij. Është një mister që krijon romane kaq të fuqishme, të cilat të rrëmbejnë në çdo rresht, për të lënë më pas të tronditur. Me një vizion, stil e fantazi unike, shkrimtari nga Tirana, është një dritare për t’u njohur me Shqipërinë e tmerrit, me skutat njerëzore të frikshme, nëpërmjet muzikalitetit të një shpirti të trazuar.

Henrik S.G., çdokush do të mendonte se ky është një pseudonim që shkrimtari ka zgjedhur për të qenë më modern, për t’iu përshtatur komercializmit. Ose si ata njerëz, të cilët pasi emigrojnë, vendosin të bëjnë një metamorfozë të emrit të vet. Por, e vërteta është shumë ndryshe, që në lindje, emri i tij, ishte Henrik, ndërkohë sa për inicialet S.G., është emri i babait, Spiro Gjoka. Më thjeshtë dhe më vërtetësisht nuk ka se si bëhet.

Për afro tre dekada ai jeton në Francë, por kjo nuk e ka penguar për të ardhur në Shqipëri, jo fizikisht, por me artin e tij. Është një prej dëshmitarëve realë që ka përjetuar ferrin e burgjeve komuniste. Në “Gjuetia e Pëllumbave”, shkrimtari tregon një pasqyrim tronditës të një pjese të asaj historie, e cila sot ngjan më tepër një e shkuar, për të cilën nuk duam të flasim.

Njëjtë edhe në romanin “Simfonia e fundit në ishullin Simon”, ku tregohet historia e një shqiptari brenda së cilës përfshihet, historia 50-vjeçare e vendlindjes së tij në diktaturë, mendësia e këtij vendi të pazhvilluar, e vendosur në paralelizëm me Perëndimin.

Shkrimtari e ka plotësuar gjithë ciklin e gjatë e të tmerrshëm të sundimit diktatorial në Shqipëri, me “Metamorfoza e një brezi te humbur”, me të cilin fitoi edhe çmimin “Petro Marko”.

Pas “Charlote”, Henrik vjen me një botim të ri, “Sonatë për gruan e një tjetri”, të sjellë nga shtëpia botuese Dudaj. Një titull goditës, por njëjtë edhe si romanet e tjerë, stili i veçantë i shkrimtarit ndjehet në çdo faqe, një libër për tu lexuar deri në agim.

“Është një letërsi që i tejkalon kufijtë shqiptare. Një trekëndësh i mundimshëm, që shtjellohet me një narracion tërheqës nga shkrimtari. Personazhi kryesor, psikiatër, që mundohet të vërë paqe në jetën e pacientëve të vet, përfshihet i tëri në një histori plot pasion, por të vështirë, me gruan e një tjetri. Dhe një retrospektivë, ku duket se historia po përsëritet”, kështu e quan botuesja Arlinda Dudaj.

‘Dritare.net’ kontaktoi me shkrimtarin, i cili edhe pse nuk i pëlqen të ekspozohet, pranoi që të flasë për herë të parë. Dha një intervistë të shkurtër për dritare.net, pasi më gjatë, i zhduket misteri që e karakterizon.

“Kjo është e para herë që unë pranoj të flas për krijimtarinë time letrare, nuk ka qenë asnjëherë në preferencat e mia, zor se unë dal nga guaska ku rri mbyllur. Unë mendoj se njeriu mbulohet nga misteri fare rastësisht, në mos e pastë atë të lindur.”- thotë shkrimtari misterioz për dritare.net.

Personazhet e tij janë sa tronditës, aq edhe realistë dhe ndonjëherë duket sikur ata flasin frëngjisht, por mendojnë shqip. Janë personazhe që nuk bien nga qielli, por dalin nga nëndheu, i një historie që ka mbajtur peng dheun e këtij vendi plot të fshehta.

“Personazhet e mi, i krijoj për kënaqësinë time dhe jo rrallëherë ata mbijnë rastësisht nga një shtytje e brendshme apo e shoqërisë ku jetojmë. Veten e quaj fatmadh për dekadat e jetuara në vendlindje, sepse linda dhe u rrita në bulevard, por nuk lashë skutë të errët pa hyrë e dalë, nga ato skuta që nuk i ofrohen çdokujt. Ndaj dhe personazhet e mi nuk bien nga qielli, por dalin nga nëndheu.”

“Me lexuesit nuk kam se çfarë të ndaj tjetër përveç se krijimtarisë sime letrare, unë si person jam tepër i vështirë për t’u lexuar dhe nuk jam as në treg për shitje”, e mbyll shkrimtari për dritare.net, i cili duket që e bezdis çfarëdolloj promovimi.

Ky është Henrik S.G., shkrimtari, i cili preferon hijen dhe jo dritën. Një hije që po bën shumë dritë në letrat shqipe.