16 vite nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, 8 vite nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe disa vite pritje, ndonjëherë edhe pa meritë, Shqipëria ndërmerr sot hapin e madh! Më në fund nisin bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian, vrapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë. Ka nisur tashmë në Bruksel Konferenca e Parë Ndërqeveritare.

Delegacioni i Shqipërisë në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit. Delegacioni do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, dhe përbëhet nga figura kryesore shefja e diplomacisë Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave. Kryeministri Rama në një shënim në rrjetet sociale shkruan se është krenari për vendin që sot Shqipëria të ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar. Ndërsa delegacioni i BE do të kryesohet nga Kryeministri i Çekisë, si vendi që ka presidencën e radhës së BE, ndërkohë që do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Borrel dhe Komisioneri për zgjerimin Varhelyi.

Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.

I vetëdijshëm për sfidat, jo vetëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Rama e kishte edhe një mesazh për BE.

“Ne nuk kemi kurrë më të vetëdijshëm për sfidat, për ne dhe për projektin në tërësi. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian. Kjo është koha për një epokë të re. Ne jemi këtu për t’iu kujtuar qytetarëve tuaj pse kjo ka rëndësi edhe për qytetarët tuaj dhe për Evropian.  “Lufta drejt lartësive mjafton për të përmbushur lumturinë e njeriut”. Sot unë jam i lumtur. Zemrat e njerëzve janë të lumtur. Asnjëherë nuk kisha menduar që në këtë ndërtesa do të shikoja kaq njerëz të lumtur. Ne një ditë do të kemi sukses të arrijmë majën e malit dhe nuk do të jemi të detyruar të zbresim sërish”, tha Rama.