François Hollande njoftoi të enjten në një dalje të drejtëpërdrejtë nga pallati Elysée se nuk do të rikandidojë për president.

Në një fjalim dhjetë minutësh, François Hollande njoftoi se nuk do të rikandidojë as në garën brenda së majtës, as në presidencialet e ardhshme. Eshtë e para herë që një president, pas një mandati të vetëm, heq dorë nga rikandidimi. Vendimi i kreut të shtetit francez është vetëm fillimi i një periudhe pasigurie të madhe për të majtën, ku kryeministri Manuel Valls parashikohet të marrë stafetën.

Presidenti Hollande i befasoi të gjithë duke e bërë publik vendimin e tij që ditën e parë të shpalljes së kandidaturave për garën brenda së majtës. Për të përligjur vendimin e tij, ai bëri së pari një bilanc shumë pozitiv të pesëvjeçarit të prsidencës së tij, duke përmendur  “përparimet” që ai vlerëson se ka bërë Franca falë politikës së tij“Unë kam një bilanc, dhe përgjegjësia është e tëra e imja.” “Unë kam dashur që modeli ynë social të mund të ruhet”, ka shtuar ai.

Në fjalimin e tij, ai vlerësoi se e ka përmbushur angazhimin e tij kryesor, atë të punësimit –“që nga fillimi i vitit, papunësia është ulur” – duke pranuar gjithësesi se e ka fituar këtë betejë tepër vonë. Ai foli edhe për luftën kundër terrorizmit: “Ne rezistuam paq, dhe unë ndërmora masat e nevojshme, pa i vënë kurrë në rrezik liritë tona.” 

/Veritas.com.al/