Teksa bëri një përmbledhje të ecurisë së ekonomisë së vendit në harkun e 7 muajve, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj konfirmoi se qeveria ka hartuar një paketë të dytë ndihme për shtresat më në nevojë, të ndikuara nga kriza e çmimeve.

Ibrahimaj tha paraprakisht se paketa e cila do të vihet në zbatim muajin e ardhshëm parashikon ndihma për qytetarët dhe bizneset.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë iu përgjigj edhe kritikave ndaj Bordit të Transparencës për karburantet duke argumentuar se në rast se ky instrument nuk do të ishte ngritur, çmimet e naftës, benzinës e gazit, do të ishin më të larta.

“Ne do të vijojmë të kemi një politikë mbështetëse për shtresat në nevojë që do të ndikojë në ecurinë e konsumit dhe ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në fund të muajit korrik, ne kemi hartuar një akt normativ për rishikimin e buxhetit, i cili parashikon të gjitha ndërhyrjet që qeveria do ndërmarrë për stimulimin e ekonomisë. Këtë paketë të plotë masash do e bëjmë publike. Ajo përfshin masat e ndërmarra deri tani dhe vijimësinë e tyre. Ju ftoj që të analizoni çmimet e bursës për produktet nën ombrellën e bordit. Bordi merret me naftën e rafinuar dhe nuk mblidhet në kundërshtim. Bordi mundohet ta shtyjë mbledhjen kur kemi rritje të çmimeve në bursë”.