Ka nisur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend, pas letrës që Ilir Meta i dërgoi mëngjesin e sotëm anëtarëve të këtij këshilli.

Kryeparlamentari kërkon interpretim të nenit 77 të rregullores së Kuvendit për futjen në seancë plenare të draftit për ndryshimet Kushtetuese, kur këto ndryshime janë hartuar nga një komision i posaçëm parlamentar sikundër është komisioni për reformën në drejtësi.

Edhe pse në vitin 2015 ka një precedent për të tjera ndryshime kushtetuese të hartuara po nga një komision i posaçëm parlamentar, Ilir Meta nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

Duket se lëvizja e tij e sotme synon bllokimin e reformës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe përfshirjen e saj në punimet e Kuvendit me nisjen e sesionit të ri në shtator. Ky këshill ka në përbërje 10 anëtarë, 5 të opozitës dhe 5 të mazhorancës.

Balancat ndryshojnë nga qëndrimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Mbetet për t’u parë në përfundim të mbledhjes nëse Meta do të votojë pro apo kundër futjes në Kuvend të draftit të reformës në drejtësi.