Kryeministri Rama ka pritur këtë të diele në Kryeministri efektiven Ina Nuka të rikthyer nga Turqia, atje ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të plagosjes së rëndë që pësoi në njërën dorë gjatë protestës së dhunshme të banorëve të “Astirit” përpara Parlamentit.

Një kapsollë e fuqishme e hedhur nga një adoleshent i shpërtheu asaj pranë trupit, duke bërë që disa prej gishtave të saj të pësonin dëmtime të konsiderueshme.

Sipas asaj që deklaroi vet Ina Nuka përpara kryeministrit, mjeku i kishte dhënë garanci se gjithçka kishte shkuar më së miri.

“Informacioni që kam marrë unë është se, implantimi është kryer dhe gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve më optimiste”, tha Rama.

“Parashikimet janë që brenda 6 muajsh të më rikthehet ndjeshmëria te gishti që kam bërë implantim, ndërsa për gishtat e tjerë brenda kësaj jave do të hiqen fijet dhe më pas do të merrem me fizioterapi”, tha Ina Nuka, teksa rrëfeu se nuk i lëvizte dot gishtat deri pas operacioneve në Turqi.

Efektivja e plagosur në detyrë ka falënderuar kryeministrin për mundësinë që i ofroi për t’u operuar në Turqi, ku qëndroi për gati një muaj, ndërsa kryeministri i tha se e kishin për detyrë dhe se ishin krenarë për atë.

Kryeministri bëri të ditur më pas se, pasi ka folur me ministrin, do t’i ofrohet mbështetje financiare dhe morale efektives Nuka, duke i ofruar kështu solidaritetin e plotë, por edhe mundësinë që të rikuperohet qetësisht, përpara se të riintegrohet në punën e saj si efektive e policisë.

Veritas.com.al/