Dashamir Shehi, aleat i PD, theksoi se Lulzim Basha, duke mbajtur ministrat në qeveri, po dëmton opozitën dhe po i bën qesharake aksionet e saj. Aleati i demokratëve tha se ministrat teknikë rrinë kot në qeveri, ndërkohë që nuk i shërbyen qëllimit për të cilin u emëruan: atë të mbrojtjes së votës.

INTERVISTA:

Pyetje: Zoti Shehi, ministrat teknikë të PD-së vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, ndërkohë që aleati i PD-së, zoti Mediu, ka kërkuar që Basha t’i largojë ministrat nga qeveria. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Shehi: Unë ia kam thënë zotit Basha që para një muaji. Para Mediut. Kur bëri mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar. Ministrat duhet të largohen se s’ka më kuptim të qëndrojnë. Aksion opozitar me ministra brenda në qeveri nuk bëhet. Kështu që jam plotësisht dakord me atë që ka thënë Mediu. Basha na premtoi se ministrat teknikë do iknin të hënën e asaj jave. Do të paraqitnin një raport ditën e premte dhe do të largoheshin të hënën. Ministrat s’kanë ça bëjnë atje. Atje rrinë kot. Domethënë, në njëfarë mënyre, vënë në dyshim gjithë idenë e koalicioneve me PS-në. Paragjykojnë gjithashtu edhe rolin e opozitës. Çfarë do të bësh në opozitë ti, kur gjysma e qeverisë është e jotja?! Edhe këto muhabetet jo kanë zbuluar byzylykët, apo ku ta di unë, apo korrupsion të vogël brenda kësaj qeverie, nuk na hyjnë në punë. Koalicioni opozitar duhet të jetë global, duhet të jetë frontal dhe në të gjitha anët. Por, për sa kohë ti ke gjysmën e qeverisë, kuptohet që ridikuliziohet, aksioni bëhet qesharak. Prandaj ministrat teknikë duhet të ikin një orë e më parë.

Pyetje: Po përflitet prej ditësh që një nga ministrat teknikë të emëruar nga PD mund të qëndrojë në kabinetin “Rama 2”. Nëse ndodh kjo…?

Përgjigje: Nuk e di, kjo është punë për Ramën, dhe është punë për ministrin dhe është punë për Bashën që ka vënë ministrin. Ne s’na intereson, s’është gjë e madhe kjo punë. Këta ministra u vunë për të ruajtur zgjedhjet. Zgjedhjet, sipas Bashës, nuk është se ruajtën ndonjë gjë. Duhet të ishin larguar që prej dy muajsh. Duhet të iknin një ditë pas zgjedhjeve. Ky është mendimi im, dhe këtë ia kam thënë që në takim.

Pyetje: Po qëndrimi i zotit Basha, cili ishte?

Shehi: Tha që do t’i largoj, por do të presim të përgatisin një raport për OSBE-në. Tani u bënë tri javë dhe ky raporti nuk është bërë. Po vjen dita që t’i heqë ligji këta ministrat, se më datë 11 mbaron mandati. S’ka më asgjë kuptim. Në qoftë se do të bëjë një gjest politik, duhet ta bëjë tani, se më mbrapa nuk do të ketë më vlerë.

Pyetje: Ka një protagonizëm mes PD-së dhe LSI-së se kush do ta marrë “timonin” e të bërit opozitës. Si i shikoni këto qëndrime?

 

Shehi: Unë them që pikërisht për këtë punë duhet t’i largojë ministrat zoti Basha. Se këtu s’duhet të ketë rivalitet fare. Këtu opozitë është kjo opozitë që ka qenë deri më sot. LSI duhet ta vërtetojë që është opozitë, se ishin në qeveri deri dje. Domethënë, ky lloj ekuacioni politik vetëm në Shqipëri mund të ndodhë, edhe kjo ndodh pikërisht nga këto hezitime që ka pasur Basha dhe PD-ja. S’ka pse të ndodhë. Në cilin vend ndodh kjo? Është qesharake, deri dje ishe në pushtet dhe nesër bëhesh opozitë, a thua se kjo është me vetemërim apo me vetëdeklarim. Kjo ndodh pikërisht për këtë punë, se zoti Basha mban ministrat në qeveri… Këto janë fenomene që paragjykojnë opozitën e ardhshme, prandaj një orë e më parë duhet të largohen.

Pyetje: Zoti Basha ka deklaruar se do të bëjë opozitë të fuqishme në shtator… Ku duhet të fokusohet ajo, sipas jush?

Shehi: Të presim shtatorin, por njëherë për njëherë, meqë jemi në gusht, të bëjë këtë punë Basha.