Astrit Patozi

Rreth një vit më parë Bindja Demokratike iu drejtua Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit për të verifikuar të gjithë listën e kandidatëve të saj për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Lajmi nuk pati ndonjë jehonë të madhe, për faktin se ne ishim vetëm njëra prej forcave të reja politike që garonim, ndërkohë që partitë kryesore nuk e kishin fare në fokusin e tyre këtë temë.

Natyrisht, nuk e kemi menduar për asnjë çast atëherë dhe as nuk na shkon fare mendja tani, se ky ishte një vendim heroik, për të cilin shoqëria shqiptare duhet të na duartrokiste patjetër. Ishte thjesht një gjest i vogël respekti për disa parime themelore mbi të cilat duhet të mbështetet një kauzë politike.

 E kishim të qartë që në fillim se kjo nuk ishte një çështje prej të cilës mund te siguroheshin përfitime elektorale, për sa kohë që me dosjet e Sigurimit të Shtetit është abuzuar kaq shumë në këto 30 vjet, për fat të keq, nga të dyja palët politike.

I shkuam deri në fund bindjes sonë se mendonim që ky ishte detyrimi ynë minimal ndaj publikut dhe në një kohë të shkurtër morëm përgjigjen e duhur nga institicioni përgjegjës.

Por duhet theksuar se nuk mbërritëm rastësisht në atë pikë. Disa vite më parë, kur shqyrtohej ligji i dosjeve në parlament, në cilësinë e deputetit të opozitës, i pata kërkuar Ilir Metës, si kryetar Kuvendi, që verifikimin ta fillonim nga deputetët, si përfaqësues të institucionit më të lartë të vendit.

Propozimi im sigurisht që nuk u përfill dhe pati një injorim total, jo vetëm prej tij dhe prej maxhorancës socialiste të kohës, por çuditërisht edhe prej grupit parlamentar të PD. Konsensus i plotë, me një llaf.

Sot, më shumë se kurdoherë tjetër, është rasti për të provuar se investimet serioze nuk shkojnë dëm asnjëherë. E thënë me gjuhë popullore, hidhe të mirën në det, se ta kthen kripa në gjellë.

Edhe pse ndoshta pa asnjë përfitim konkret, duhet theksuar se nuk është pak asnjëherë që të mbjellësh farën e një qasjeje të re të moralit politik në një shoqëri të traumatizuar nga deformimet e tmerrshme për shkak të abuzimit me pushtetin. Të cilat, jo rastësisht, në Shqipërinë e këtyre 30 vjetëve kanë për autorë dhe protagonistë subjekte me hije të tmerrshme të integritetit të figurës së tyre.