Pas operacionit të zhvilluar mes Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Anti-Terrorit, GJKKO-së dhe Policisë, ku u arrestuan 20 ish-anëtarë të MEK-ut në Shqipëri, detaje të reja kanë dalë në dritë.

 Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Albanian Post të arrestuarit po planifikonin të kryenin një sulm në Shqipëri ndaj anëtarëve të MEK, të vendosur në Manëz.

Në dosje shkruhet se disa individë që flasin gjuhën turke, rezultojnë se kanë mbërritur në Tiranë, ku janë takuar me dy makina dhe kanë pasur si qëllim përgatitjen e sulmit.

Nga të dhënat paraprake zbulohet se hetimi ka nisur pas dyshimeve për spiunazh të lidhura me qeverinë iraniane.

Me urdhër të GjKKO-së janë kryer edhe disa kontrolle banesash dhe zyrash. Në këto hapësira qëndronin personat të cilët kryenin aktivitete të ndryshme.

Sipas informacioneve të Prokurorisë ky grup kishte në vëmendje dy vendndodhje që lidheshin me MEK në Shqipëri, konkretisht kampin e organizatës MEK në Manzë, Durrës dhe vendin e akomodimit të anëtarëve të MEK në Vaqarr, Tiranë.

Përveç vendndodhjeve fizike të MEK-ut, ARAM dhe ekipi i tij ishin të përqendruar në marrjen e informacioneve rreth lidershipit të MEK-ut.

Nga informacionet e Prokurorisë dyshohet se iranianët kanë qenë pjesë e operacioneve/sulmeve të kamufluara të forcave të Republikës Islamike Iraniane, IRGC Qods, që kishin si shënjestër prezencën e Muxhahedineve në Shqipëri.

Çfarë përfaqësojnë muxhahedinët?

Muxhahedinët iranianë, të quajtur ndryshe “opozita iraniane” ndodhen prej kohësh në emigrim.

Lëvizja e tyre është themeluar në vitin 1960 dhe përfaqësojnë një miks ideologjie marksiste dhe islamiste.

Që në fillimet e tyre e deri në vitin 1970, ata kanë qenë në opozitë me ish-liderin e Iranit, Mohammad Reza Shah.

Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Khomeini.

Ata u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre dhe u larguan nga Irani.

Muxhahedinët u krijuan në Irak në kulmin e luftës me Iranin, duke luftuar përkrah trupave të Sadam Huseinit.

Pas rrëzimit të Sadamit në 2003, muxhahedinët u çarmatosën zyrtarisht dhe u rigrupuan më pas në një kamp në Ashraf, pranë kufirit iranian me Irakun dhe më pas u zhvendosën në Shqipëri.