Nga Klevis Hoxhaj/ AP

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, u arrestua pasi u kthye nga mërgimi tetëvjeçar.

Kjo, sipas një deklarate të kryeministrit gjeorgjian, Irakli Garibashvili.

Sipas gjasave, ky veprim do të thellojë më tej trazirat politike në shtetin e Kaukazit jugor.

Saakashvili u largua nga detyra në vitin 2013, kur u rrëzua nga partia e Garibashvili-t, “Ëndrra Gjeorgjiane”.

Ish-presidenti kishte paralajmëruar më herët për një kthim të tijin në Gjeorgji, pavarësisht arrestimit të sigurt që e priste.

Ndaj Saakashvili-t rëndojnë dy akuza për shpërdorim të detyrës që ai i ka përshkruar si “të motivuara politikisht”.

Rrethanat e arrestimit të Saakashvili-t nuk janë ende të qarta. Autoritetet gjeorgjiane fillimisht mohuan se ai gjendej në Gjeorgji.

Kjo, para se fotografitë e një Saakashvili të prangosur, duke buzëqeshur të shfaqeshin në televizionin shtetëror.

Reagimet

Beka Basilaia, avokati i Saakashvili-t, konfirmoi lajmin e arrestimit të tij.

Gjeorgjia, një komb me më pak se 4 milionë njerëz, konsiderohej dikur si shembull i reformimit të vendeve ish-sovjetike.

Autoritetet ukrainase, në krahun tjetër, po kërkojnë sqarim mbi arrestimin e Saakashvili-t.

Ky i fundit, ka marrë nënshtetësinë ukrainase dhe është këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Saakashvili ka pasur një karrierë politike të trazuar qëkurse rrëzoi paraardhësin e tij me një platformë kundër korrupsionit.

Fillimisht ish-presidenti mori lëvdata për suksesin e tij në çrrënjosjen e ryshfetit dhe kënaqjen e donatorëve perëndimorë me reformat liberale ekonomike.

“Rënia” e Gjeorgjisë

Pas viteve të mbrojtjes së përpjekjes së Gjeorgjisë për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n, Saakashvili humbi besueshmërinë në sytë e shumë aleatëve perëndimorë.

Shkak u bë kryesimi i humbjes në një luftë katastrofike katër-ditore me Rusinë në vitin 2008.

Themeluesi i “Ëndrrës Gjeorgjiane”, Bidzina Ivanishvili, rrëzoi partinë e Saakashvili-t nga pushteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012.

Një vit më pas, Saakashvili u largua nga vendi, pas përfundimit të mandatit të tij. Ai u transferua në Ukrainë, ku shiti përvojën e tij në luftën kundër korrupsionit.

Petro Poroshenko, presidenti i Ukrainës nga viti 2014 deri në vitin 2019 dhe “shok universiteti” me Saakashvili-n, i dha atij shtetësinë ukrainase dhe e bëri atë guvernator krahinor.

Atij iu hoq nënshtetësia dhe u dëbua nga Ukraina, por Zelensky – udhëheqësi aktual – i dha nënshtetësinë duke i ofruar një rol këshillues për reformat e qeverisë.