(Mëngjes, e hënë, 31 korrik 2017, Jeanne Moreau gjendet e vdekur në apartamentin e saj).

…Një vështrim mbi jetën e trazuar të një gruaje që dashuroi pa fund…

Ajo luajti për regjisorët më të mëdhenj të kinemasë evropiane dhe amerikane, Orson Welles, Luis Buñuel, Joseph Losey, Wim Wenders, Fassbinder, François Truffaut, Bertrand Blier dhe shumë të tjerë. Në 1992, ajo vlerësohet me çmimin Oscar si aktorja më e mirë në filmin “Plaka që ecte në det”, përshtatur nga San Antonio.

Jeanne Moreau vdiq këtë të hënë, në moshën 89 vjeç. Jeta e saj sentimentale i ngjan fatit të saj si femër: fatalisht e lirë, tmerrësisht e pavarur. E mbi të gjitha pa tabu. A mund të ndodhte ndryshe kur, ende fëmijë, ajo e kuptoi shumë shpejt se si funksiononte bota e të rriturve? Jeanne Moreau u rrit në një vend mjeran në afërsi të lagjes Pigalle, ku pazari për një të shkuar në shtrat bëhej në pragun e derës së një hoteli copë -copë. Prindërit e saj ziheshin papushim, e ëma është balerinë music-hall-i, i ati drejton një pijetore. Gjatë Pushtimit nazist, ajo shkëmbehet me ushtarët gjermanë që presin korridoreve, me pantallonat nën krah. Pas Çlirimit, stafetën e marrin anglezët: Kur largohen për në atdheun e tyre, e reja Moreau përkthen letrat e tyre të zjarrta drejtuar prostitutave të lagjes për dy kacidhe. Seksi dhe epshi si univers i vetëm: ajo i njeh tanimë burrat, edhe pa shkuar me ta.

I pari me të cilin përballet është i ati, një burrë i adhuruar nga e shoqja por i mikluar nga gratë e  tjera. Kur merr vesh se e bija dëshiron të bëhet aktore, ai i jep ca shuplaka dhe e nxjerr për dere. Për të, të bëhesh artiste, do të thotë të dalësh në trotuar. Për Jeanne, ky është një shans: ndarja i kurseu pa dyshim një fat pak të lavdishëm. «E falenderoj që e kundërshtoi prirjen time, do të pranojë ajo vite më vonë. Kundërshtimi i tij më dha energjinë për ta ushtruar këtë zanat kundrejt dhe kundër të gjithëve. Unë e kam falur, sigurisht, të gjorin … Ai madje i mbylli ditët e tij tek unë.»

Pengesa apo shanse?

Burrat, pengesa apo shanse, sipas rastësive të jetës. Në 1949, ndërsa i djeg rolet dhe fillon të bëjë emër, ajo mbetet shtatzanë me partnerin e saj, aktorin Jean-Louis Richard.

«Nuk doja fëmijë, nuk jam mëmësore», -do të pohojë ajo më vonë.

Martohet të nesërmen e lindjes së foshnjës, me shumë me detyrim sesa me dëshirë. «Linda për dy orë,-do të tregojë ajo një ditë për revistën Marie Claire.- Sapo u ktheva në dhomën time, i telefonova regjisorit tim. E zgjova: U krye, fëmija im lindi, jam në formë të plotë. Mendoj se mund ta rinis punën për tetë a dhjetë ditë.»

Dështim në të gjitha drejtimet: Ajo divorcohet nga Jean-Louis dhe do t’i duhet një jetë e tërë për t’u pajtuar me të birin, Jérôme, i cili nuk do ta durojë kurrë jetën boheme të nënës së tij aktore.

Prova e dytë është më e keqe se e para. Në 1977, ajo martohet me regjisorin e French Connection dhe të L’Exorciste. «Isha e tronditur që ai më kërkoi dorën për martesë. Në fakt, ishte hera e parë…» Por historia e tyre shndërrohet pak nga pak në furtunë: «Ishte një marrëdhënie e dhunshme, e dhimbshme dhe shkatërrimtare.»

Divorci, i shpallur në 1981, përfundon keq. Çifti çirret, avokatët ndërhyjnë, Jeanne Moreau del shumë e prekur… dhe e zhvatur nga paratë. «Nuk ishte kjo më e keqja, ishte plaga që la pas.»

Ka edhe të tjerë, të dashurit dhe bashkudhëtarët, pak a shumë të famshëm, që ndanë dikur vorbullën e jetës së një artisteje jashtë normave. «I kam patur gjithmonë dobësi burrat që kishin talent,- ka pranuar ajo nga fundi i jetës.- Nuk kam patur dashnorë thjesht për dashnorë.»

Një ndër ta mbetet Louis Malle, të cilin e takoi gjatë një pranvere të stuhishme, kur ajo i del përpara krejtësisht e lagur. Një marrëdhënie e fuqishme, e thellë, që përfundon me kryeveprat si ‘Ashensori për në gijotinë’. Gjatë xhirimeve të Dashnorët, ku ajo jepet si asnjëherë më parë, ndjen se po e humbet.

«Ai kishte një lidhje me Mijanou Bardot, motrën e Brigitte-ës. Isha e dëshpëruar … »

 

Parfum skandali

Më pas është Pierre Cardin, ajo bëhet shoqja dhe muza e tij.

«Një histori e vërtetë, që do të zgjasë mbi katër vjet.» Ai e mbulon me dhurata, e shoqëron në xhirime, të dy ëndërrojnë të kenë një fëmijë bashkë. Projekt i pamundur: një kancer në mitër, i diagnostikuar në moshën 31 vjeçe, shkatërron çdo shpresë. Cardin do të mbetet përgjithmonë një mik i ngushtë, një këshilltar i urtë. «Ajo e di që është dritë, diell, e qetë si bora, por nganjëherë furtunë, do të thotë për të stilisti. Gjinkallë më shumë sesa milingonë, qenie bujare për të tjerët, çka nuk e lehtëson gjithmonë të nesërmen…»

Asokohe, njësoj si Bardot, Jeanne Moreau skandalizon Francën kur del me korse përpara 1968. Ajo mishëron më shumë gruan sensual dhe joshëse sesa Parizienen e sofistikuar, borgjezen apo prostitutën, duke alternuar pa kursim stilin e sofistikuar dhe fytyrën përbuzëse… Pa harruar zërin e saj të rëndë dhe të thellë, tmerrësisht seksi. Jeanne do të bëhet «La Moreau» dhe do t’i bëjë të kthejnë kokën nga ajo regjisorët më të mëdhenj, që nga François Truffaut te Orson Welles, i cili i deklaron një ditë zjarrin që po e shkrumbon për të. Me Brigitte Bardot-në, ato tërheqin që të dyja si burrat edhe dritën dhe lënë pas gjithashtu, secila në mënyrën e vet, një parfum skandali. Bardot nën sunlights-et, në technicolor, Moreau me më shumë diskrecion, çka vetëm sa e amplifikon imazhin e saj si gllabëritëse e partnerëve.

 

«Kam jetuar si djalë»

Flitet, me të drejtë, se ka patur një lidhje me yllin italian Marcello Mastroianni, me të cilin xhiroi La Notte, apo edhe me aktorin amerikan Lee Marvin. Në 1965, në xhirimet e Viva Maria, një superproduksion i xhiruar në Meksikë, ajo hidhet në krahët e të parezistueshmit George Hamilton, i cili luan rolin e dashnorit të saj revolucionar. Dashuri rrufe dhe lidhje e shkurtër. Një vit më vonë, ajo do të harrohet kësaj here në krahët e Tony Richardson-it, regjisorit të filmit tejet heretik Mademoiselle, shfaqja e të cilit skandalizoi Festivalin e Kanës.

«Jeanne ishte seksualisht shumë tërheqëse, shumë interesante dhe unike në llojin e vet », do të deklarojë më vonë kineasti, i cili do të braktisë të shoqen, Vanessa Redgrave, për të jetuar me francezen turbulluese. Tjetër skandal, tjetër episod në sagën e gjatë dashurore të një gruaje që kishte ndërmend të jetonte pa e çarë kokën…

«Kam jetuar si djalë. Që do të thotë se kam patur aventura, dashnorë, se mund të ikja kur të më tekej», ka treguar ajo për Madame Figaro duke iu referuar ndarjeve të shumta që ajo vetë i shkaktonte. Nën pamjen prej të forte, ylli i kinemasë zbulon përfundimisht se ka patur gjithmonë frikë se mos e braktisin. «Jeta ime është e mbushur me tentativa përvojash për të mësuar se ç’do të thotë të dashurosh, – pranon ajo në dokumentarin Conversation, i xhiruar nga mikesha e saj Josée Dayan.- Eshtë shumë e vështirë të thuash unë e di ç’është dashuria. Eshtë si parajsa e humbur.»

Një kërkim intensiv që ajo e ndërmori përmes lidhjeve me burrat, duke përzier në të njëjtin pasion artin e saj dhe ndjenjat e saj.

Veritas.com.al/