Njeriu më i pasur në botë, amerikani Jeff Bezos, do të udhëtojë sot në hapësirë me anijen raketë të ndërtuar nga kompania e tij, Blue Origin.

Në udhëtimin e jashtëzakonshëm ai do të shoqërohet nga vëllai i tij, Mark, një pilote 82-vjeçare, Wally Funk dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen. Fluturimi i tyre do të zgjasë 11 minuta.

“Ta shohësh Tokën nga hapësira, është një gjë që ju ndryshon. Ju ndryshon marrëdhënien tuaj me këtë planet, me njerëzimin. Është një gjë që kam dashur ta bëj gjithë jetën time”, tha Bezos për kanalin televiziv CBS.

Bezos ka themeluar kompaninë e tij hapësinore Blue Origin në vitin 2000, për të zhvilluar turizmin hapësinor. Pas përfundimit të këtij udhëtimi, Blue Origin pritet të nisë shitjen e biletave shpejt pas fluturimit të Bezos, por kompania nuk e ka zbuluar ende koston e një udhëtimi.

Bezos, është themelues i Amazon kompanisë së shitjeve online  dhe ka hequr dorë së fundmi nga drejtimi I kompanisë së tij për tu fokusuar pikërisht në Blue Origin.

Sipas revistës amerikane Forbes, pasuria e tij neto kap vlerën e 186.2 miliardë dollarëve.