Frrok Çupi/

Ndoshta titulli mund të ishte edhe kështu: ‘A jemi ne një eksperiment’? Shpesh herë kam dëgjuar njerëz që shpërthejnë para sjelljes absurde të burokratëve të Perëndimit se “Po na bëjnë eksperiment”. Në vendet e tyre nuk do ta bënin kurrë.

Por sidoqoftë, në mendjen e atyre që na eksperimentojnë, funksionojnë ‘arsye racore’. (Do të doja që ta mbajmë mend deri në fund definicionin ‘arsye racore’.)

A ka arsye racore që na konsiderojnë ‘komb pa ligj’?

Përgjigja e parë:

Nuk ka arsye racore që të zgjedhim një prokuror ‘pa ligj’. Ambasadorët më të rëndësishëm perëndimorë të akredituar në Tiranë, deri më sot në mëngjes e kanë ‘zgjedhur’ prokurorin tonë të Përgjithshëm, me shtatë a tetë mënyra. Por asnjëra ligjore. Dje ambasadori Lu i SHBA kishte thënë se prokurori duhet të zgjidhet sipas një ‘preambule’ të Reformës në Drejtësi. Sot ka thënë një gjë ndryshe: ‘Partitë të bashkohen në një dhe ta zgjedhin…”. Para disa ditësh kishte thënë ‘në Parlament’.Pak më parë ishte thënë: në Parlament “me 3 të pestat e votave”, dmth 93. Po atë ditë u tha “me pakicë të theksuar’, dmth., 36 vota). Ish presidenti deklaroi  se Prokurorin ‘e zgjedh vetëm Kushtetuta”, jo Kuvendi; ndërsa presidenti aktual tha se ‘është ekskluzivitet i Kuvendit’…

Të gjitha ‘zgjidhjet’ jashtë ligjit. Bota na ofroi ‘Vettingun’ për çdo gjykatës e prokuror, por ‘Prokurori i përgjithshëm- thotë- të zgjidhet jashtë Vettingut”.

… Do të vijë një moment që do të kemi edhe “prokurorin”, sigurisht.

Dilema mbetet tjetërkund: A Jemi të denjë që të zgjedhim një prokuror sipas ligjit? Ligji është shumë i qartë, shumë i shkurtër dhe i saktë; nuk merr kohë më shumë se ‘një minutë’. Gjithë bota e humanëve të vlerësuar e përdor ligjin si çelësat mekaniku: “Hiq një bulonë dhe vendos tjetrën!”. Po ne pse vallë na vërtisin nëpër ‘livadhet’ e kotësisë? A nuk e meritojmë edhe ne ligjin? Apo duhet të harxhojmë energji pa fund si tufat e kuajve përmes fushave ‘pa ligj’ dhe të zbaviten me ne, teksa bota ka përparuar deri në pikën që ka formuar ligje; energjitë i harxhon për punë të dobishme.

Përgjigjja e dytë:

‘Ne nuk jemi të ndarë, por nuk jemi akoma të barabartë’ me të tjerët.

Kjo është strategjia që po përdor BE ndaj shqiptarëve. Para pak ditësh, në Bruksel është zhvilluar një takim i disa burokratëve të lartë të BE, që nga Junker te Mohgerini e Tusk dhe Trajan; të cilët kanë shpërthyer në tallje entuziaste kundër njerëzisë shqiptare. Ata kanë thënë se ‘ja ua fshijmë me gomë trafikimin e drogës dhe krimin e organizuar’. Pasi e fshinë me gomën e tyre gjithçka që e bën Shqipërinë ‘të vuajë’, atëherë thanë: “Skaneri na del mirë. Pranoheni në negociata dhe shpejt në BE”.

As racat inferiore të specieve të tjera nuk mund të tallen kështu. Thelbi është se zyrtarët evropian ndaj nesh nuk përdorin ligje; ata na quajnë të padenjë për ligje. Ligji evropian për negociata dhe për pranim kalon në institucione, që nga Parlamenti Europian- te mbledhja e këshillit të ministrave… Jo, për shqiptarët ‘nuk ka nevojë’. Ata mendojnë se ne na gënjejnë lehtë, pasi jemi në stadin e ulët kur nuk përdorim ligje…

Më parë po këta zyrtarë kishin thënë se nuk ka BE për shqiptarët, sepse ‘nuk na lejon Parlamenti dhe Komisioni”. Kësaj here menduan të tallen, dhe e bënë… Me asnjë ‘racë’ tjetër njerëzore nuk mund të flasin dhe vendosin të pabazuar në ‘ligje’. Nuk na quajnë akoma të barabartë, por nuk na duan ‘të ndarë’.

Përgjigja e tretë:

Përderisa nuk çmohemi si të aftë për ligje, vallë në ç’racë na përfshijnë?

Nëse na përfshijnë në racën ‘tjetër’ sociale- kjo do të ishte më e vjetër se Nazizmi. Ne jetojmë në qytete, mësojmë shkollë, jetojmë në familje, përdorim banesa, duam fëmijët, nuk rrojmë në kopê… Nuk ka asnjë dallim social.

Kriteri ‘ancestry’ për racën:

Vetë studiuesit amerikan e kanë përjashtuar tashmë ekzistencën e kësaj race njerëzore. Aq më tepër përjashtohet për ne shqiptarët. Prejardhja jonë (ancestry) nuk dallohet për njerëz pa ligje, përkundrazi. Rregullimi parapolitik i shqiptarëve është shquar si nga më ekselentët: Shqiptarët praktikuan të Drejtën Zakonore të përafërt me të Romës, balancuan pushtetet, përjashtuan vjedhjet dhe plaçkitjet si normë, kodifikuan sjelljen ndaj të vegjëlve, të dobëtëve dhe grave… Ne njuk mund të na paragjykojnë ambasadorët, as nëpunësit e BE se ‘jemi racë e shtrembër nga prejardhja”.

Le të kthehemi në radhët e para të shkrimit: Atëherë ‘arsye racore’ nuk ka…

Veritas.com.al/