Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry ka dërguar një mesazh urimi për popullin shqiptar, me rastin e 103 vjetorit të Pavarësisë. Në mesazhin e urimit, Kerry shprehet se Shqipëria luan një rol jetësor në përkrahjen e paqes dhe rendit në rajon dhe në gjithë botën.Mesazhi nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry
Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, dua të uroj popullin shqiptar ndërsa feston përvjetorin e 103-të të Pavarësisë, më 28 Nëntor.

Që prej mbështetjes së Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Parisit më 1919, dy vendet tona kanë punuar së bashku me sukses për të ndërtuar një miqësi të qëndrueshme, e cila mbështetet mbi vlerat e përbashkëta dhe respektin e ndërsjellë. Si anëtare e NATO-s dhe vend nga e cila vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin mund të mësojnë, Shqipëria luan një rol jetësor në përkrahjen e paqes dhe rendit në rajon dhe në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë ndihmesën e Shqipërisë në sigurinë botërore, nga Afganistani, Iraku dhe Ukraina në luftën ndaj terrorizmit ekstrem dhe Koalicionin Botëror për Luftën ndaj ISIS.
Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ndërmerr reformat e nevojshme për të arritur synimet e saj euroatlantike. Përgëzoj përpjekjet tuaja për të hyrë në Bashkimin Europian dhe mirëpres zhvillimin e vazhdueshëm në rrugën drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik.
Ndërkohë që festoni me familjet dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara ju urojnë gëzuar festën! Gjatë viteve të ardhshme, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë për zhvillim, mirëqënie dhe paqe