Lajmet në media po gumëzhijnë mbi një takim të mundshëm mes Donald Trump dhe Papa Francis kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të vizitojë Italinë këtë maj.

Shtëpia e Bardhë bëri me dije të Shtunën se Presidenti Trump do të udhëtojë për në Itali për samitin e G7 në fund të Majit. Kjo do të jetë edhe vizita e parë e Trump në Europë si president i SHBa. Vëzhguesit thonë se me këtë rast mund të ndodhë që zoti Trump të takojë Papa Francis për herë të parë.

Zoti Trump foli me telefon me kryeministrin Italian Paolo Gentiloni këtë të Shtunë, pas të cilës Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti mund të marrë pjesë në takimin e të shtatë vendeve më të industrializuara, në Taormina, Sicili, më 26 dhe 27 Maj.

Gazeta italiane La Stampa citon një burim diplomatik anonim se Presidenti Trump do të takohet me papën Francis kur të vizitojë Italinë.

Presidenti Trump nuk ka emëruar akoma ambasador në Selinë e Shenjtë. Mjafton ky fakt për të kuptuar se pa ambasadorin e emëruar dhe prezent në Selinë e shenjtë, është e pamundur për një vizitë zyrtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara në Vatikan.

/Veritas.com.al/