Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar se do të vizitojë vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor muajin e ardhshëm përpara samitit të 30 majit të BE-së që do të shqyrtojë situatën në Ukrainë dhe pasojat e saj.

Aktualisht Gjermania ka një qëndrim të ndryshëm nga Franca, pasi Macron propozoi një Këshilli Politik të vendeve që aspirojnë anëtarësimin, një sugjerim ky që në çdo pikëpamje minon autoritetin e BE-së në periferinë e vet.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia,  janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare, u tha Scholz ligjvënësve në Berlin të enjten.

“Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, tha ai, duke treguar ndikimin e fuqive të jashtme në rajon, përfshirë Rusinë.