(FOTO: Marrë nga “Pianeta Italia”)/

1300 kontenierë me plehra toksike të nisur nga brigjet italiane dyshohet se kanë mbetur të groposur në ish tunelet e komunizmit në Shqipëri. Ky është version që ngre “Pianeta Italia” e cila ka zhvilluar një investigim rrëqethës për këto ngarkesa. Plehrat kanë hyrë në territorin shqiptar për të kaluar transit drejt Maqedonisë, por nuk ka më gjurmë të kenë kaluar në pikat doganore mes dy shteteve.

Sipas dokumenteve që disponon “Pianeta Italia”, këta kamionë, secili  me nga 22 tonë duhej të shkarkoheshin në lanfilin e Dreslës në Maqedoni dhe janë nisur përgjatë vitit 2016 nga porti i Gioia Tauro në Kalabri. Ato përmbanin plehra nga Napoli, Bari dhe provinca e Kampanias.

Sipas të njëjtës media, me këtë çështje po merren edhe prokurorët Llalla për palën shqiptare dhe Roberti për palën italiane. Ky i fundit, që erdhi pak kohë më parë në Tiranë, është një specialist i ngarkesave me plehra të zhdukura nga Kamora.

Nga porti “Gioia Tauro”, janë nisur gjatë vitit 2016 mbi 24 mijë kontenierë. Prej tyre 2604 do shkonin drejt Maqedonisë, por në doganën e Qafë Thanës kanë kaluar vetëm 1140.

Pikërisht për këto fakte media italiane mbërrin në konkluzionin se gjurmët e përgjegjësisë shkojnë në pallatet e pushtetit në Tiranë.