Emri i Alqi Bllakos, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është më i rëndësishmi pas atij të Leftër Kokës në dosjen e madhe të SPAK për abuzimet me inceneratorët në Elbasan dhe në Fier. Në Kuvend ka mbërritur sot kërkesa nga akuza për autorizim për arrestim pasi mbi të rëndojnë akuza si ajo për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Në njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhet seish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisi  Bllako, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe Pëllumb Abeshin, kanë kryer veprime të kundërligjshme duke përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar 111 564 m2 , për inceneratorin e Fierit, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.

SPAK pas hetimeve ka dalë në përfundimin se Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria nga koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të shumës prej rreth 15 milionë lekësh të reja.

Për këtë dyshim të përfitimit të paligjshëm GJKKO ka vendosur  “sekuestro preventive” për një apartament në zotërim të babait të Alqi Bllako, Edmond Bllako. Apartamenti është në Tiranë, me sipërfaqe 99.48 m2, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë’.

Kujtojmë se PD dhe LSI kanë hedhur akuza se babai i Alqi Bllakos, Edmond Bllako, ka qenë i punësuar në një kompani koncesionare për të cilën djali i tij ka qenë personi numër dy përgjegjës si Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Kush është Alqi Bllako

Alqi Bllako është një emër i ri në politikën shqiptare! Ai në vitin 2013 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, e cila në atë kohë drejtohej nga ministri i LSI-së, Lefter Koka. Më pas Bllako nisi punë si sekretar i Përgjithshëm në Presidencë pranë kreut e shtetit, Ilir Meta, pozicion që e mbajti deri në shkurt 2019, kur vendosi të largohet nga Presidenca, e për rrjedhojë edhe nga LSI-ja. Në 2019 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve e Landfilleve dhe në 2021 u zgjodh deputet i PS në zgjedhjet e 25 Prillit, duke fituar edhe mandatin.