Këshilltari i Trump për politikat e jashtme dhe sigurinë, Bob McEwen ftoi dje shqiptarët të votojnë Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike si të vetmen alternativë për shqiptarët, të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë,  gjithashtu. McEwen ishte dje në hapjen e fushatës së PD në Lezhë bashkë me kreun e PD, Basha dhe kreun e PR, Mediu e aleatët.

Duke u folur qytetarëve lezhjanë, këshilltari i Trump bëri dallimin mes socializmit dhe demokracisë, ku të majtët kanë filozofinë e mbajtjes së pushtetit dhe parave në duart e tyre, ndërsa demokratët si pushtetin ashtu paratë i lënë në duart e qytetarëve.

“Ju sjell përshëndetjet nga shumë miq në Amerikë. Kudo që shkon nëpër botë dhe takon liderë të biznesit, ka shumë shqiptarë që i takon atje. Ishte nga ky mal ku i madhi Skënderbe tha se shqiptarët duan të jenë të lirë. Tani është radha jonë. Ka vetëm dy ide politike: Një është që qeveria ka paratë dhe pushtetin dhe qeveria u thotë njerëzve se ç’duhet të bëjnë, nëse sheh në fjalor kjo quhet: socializëm. Ka dhe një ide tjetër dhe kjo është njerëzit kanë paratë dhe pushtetin dhe ata janë që i tregojnë qeverisë se ç’duhet të bëjnë, kjo është demokracia”, tha McEwen.

“Në çdo vend, në çdo kohë ka një luftë konstante ku qeveria u thotë njerëzve se ç’duhet të bëjnë dhe ndërmjet tjetrës që njerëzit duhet t’i thonë qeverisë se ç’duhet të bëjnë, dhe këtu është pika kritike. Nëse qeveria ka paratë dhe pushtetin, njerëzit janë të varfër. Në demokraci nëse njerëzit kanë para dhe pushtetin atëherë ata bëhen të pasur. Për 50 vjet pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët vuajtën në socializëm, më 1990 idetë demokratike u shfaqën dhe ne pamë se çfarë ndodhi. Gjatë qeverisë demokratike ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme me miliarda dollarë dhe investime të huaja që kanë ardhur në Shqipëri, sepse koalicioni ishte i ndershëm. Pjesa tjetër e botës ka pasur admirim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, duke ndërtuar gazsjellësin Shqipëria bëhet një partner strategjik në Europë”.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve të shohin përpara me alternativën e Partisë Demokratike, ndërsa përmendi disa nga arritjet kryesore të qeverisjes së djathtë siç ishte anëtarësimi në NATO apo investimet gjigante që morën jetë nën këtë qeverisje.

“Kur SHBA dhe Europa donin një partner dhe aleat zgjodhën Shqipërinë dhe e bënë anëtare të NATO, sepse ata i besuan aleancës me Partinë Demokratike. Sali Berisha, Lulzim Basha si ministër i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe tani ne jemi përballë një vendimi, duhet që të shkojmë tek socializmi dhe varfëria apo do të shkojmë tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek një qeveri e ndershme, tek ekonomia që rritet, me para për njerëzit dhe jo për qeverinë. Kjo nënkupton një gjë, gjithë bota po sheh se ç’ndodh këtu, ne që e duam Shqipërinë lutemi për të. Ne nuk ishim këtu kur ishte Skënderbeu, lufta që ne do të bëjmë nuk është me plumba, por do të jetë me votën. Nëse doni vendin tuaj, nëse doni fëmijët tuaj, nëse doni Shqipëri të fortë dhe të respektuar, atëherë në këto 28 ditët e ardhshëm duhet të bëni çdo gjë që është në fuqinë dhe në pushtetin tuaj, të merrni çdo njeri dhe në çdo derë, të bëni çdo gjë që është e mundur që Basha të jetë Kryeministër i Shqipërisë”, tha këshilltari i Trump.

(Sipas RD)