Frrok Çupi/

Kam vërejtur me vëmendje gjatë gjithë ditës çfarë po ndodh. Kanë ndodhur aq sa në kushte të ‘qeta’ nuk ndodhin për një muaj. Të gjitha- që lidhen me politikën, sidomos me fushatën zgjedhore që sapo nisi…

Por nuk të ardhka mirë kur shikon rënien; të kujtdo qoftë. Edhe pse majtizmi nuk është ‘dashuria’ ime, edhe  pse jo; po e përjetoj keq edhe rënien e tij. Në të djathtën, dje dhe sot kanë ndodhur disa ngjarje që e rëndojnë; por e majta “e rëndë’ ka pësuar një rënie kaq të shpejtë.

… Kanë ardhur jehonat e fushatës së kryetarit të ‘Rilindjes’ deri këtu në Tiranë, por kanë ardhur aq të dobëta sa të duket se ‘mediat iu bënë kundër’- gjë që nuk ndodh kurrsesi. Jehonë shumë më e dobët se një takim për të shpërndarë letrat e legalizimit në një katund- sipas traditës së Rilindjes.

Kam dëgjuar se kryeministri është marrë gjatë me një kapele polici në Burrel… e tmerrshme m’u duk. Mendova për ata matjanë që mund të kenë qenë aty dhe mund të kenë menduar me keqardhje; si edhe unë. Me keqardhje për vete para një kryeministri që nuk ka çfarë u thotë; dhe me keqardhje për qeverinë që ra kaq poshtë…

Kam parë kryetarin i Partisë Socialiste në cep të podiumit të fjalimeve të kandidatëve tek gjuan njërin nga kandidatët për t’i marrë nga dora letrën e fjalimit. Si të të mos vijë keq?!… Kjo ka ndodhur shumë rrallë me disa tipa ‘foolish’ që zënë vend o në ndonjë cep ure, o në ndonjë cep pallati; dhe ‘për gallatë’ iu marrin njerëzve kapelën, gazetën ose çfarë kanë në duar…

Kam ndjekur sot fushatën e Rilindjes në Dibër. Kryeministri, i ndodhur para banorëve të Veriut, duke u ndjerë kompleksiv për ato çfarë ka shprehur dhe çfarë ka manifestuar ndaj veriorëve, tentoi t’u afrohet sipas fjalorit të tyre në gegnishten e veçantë që përdorin ata. Kur e kishte pyetur dikush ‘pse nuk e ndërtove rrugën e Arbrit?”, kryeministri i përgjigjet se “ua kemi thënë…”. Por në vend të plotësorit ‘ua’ ai vendos trajtën ‘va’ që në fakt përdoret në të folmen e Dibrës. Dmth., “va kemi thënë”, psh. Thashë me vete ‘sa poshtë paska rënë tërë ajo arrogancë’ e kryeministrit! Pak javë të shkuara ai nuk pranonte dot fjalën ‘qadër’  në trajtën gegnishte, as i shikonte dot zonat e Kukësit, as e pranonte dot të folmen e shkodranes Voltana Ademi… Të them të vërtetën do të doja që ta shikoja edhe sot kryeministrin po aq arrogant, qoftë edhe kundër gegnisë dhe gegnishtes sime, se sa kaq të qullosur…

Kryeministri u ndje shumë keq në një miting në Mat dhe u mbështet në podium. O lodhje ‘over’, o vetmia dhe mungesa e shpresës e bënë që të ulej si në një moment kur të merren mendtë…. E pashë edhe sa në siklet u vu kryeministri kur një nënë në Burrel i kërkoi ndihmë për djalin e sëmurë. Kryeministri tha ‘ta shohim’- sipas një fjalori shumë të vjetër e të pa-jetë; nuk qe i zoti t’i thotë se ’30 mijë euro i marr nga shokët e mi’ ministra, dhe ‘djalin ta çoj në Itali’.

Por ja që fuqia e madhe e pushtetit ka rënë. As ka më program, as ka më vetëkorrigjim, as ka më objektiv, as të nesërme. Një fuqi që nuk ka të nesërme, nuk është as fuqi, as ekziston…

Pesha e madhe e pushtetit ra menjëherë.

Çfarë ndodhi kështu?

Ndodhi ligjësia e përgjithshme që ndodh përherë me pushtetet e mbingarkuara. Që në fillim të legjislaturës, kur maxhoranca mblodhi 84, 85, 86 vota në Kuvend, ishte parashikuar se aty nisi rënia. Në fakt aty nisi, sepse nisi vetësiguria e pushtetit dhe zyrtarëve të lartë, nisi arroganca, ideja se ‘bëj çfarë të dua’, mospërfillja për tokësorët dhe tokësoren.

Ndodhi  ‘zullumi’ (një fjalë turke që na shërben edhe si pezhorativ). Sa më shumë u rrit dëmi i maxhorancës, aq më tepër u ngarkua me pesha vdekëse. Faji i korrupsionit të madh, faji i mospërfilljes njerëzore, faji i narkotizimit të vendit, i kriminalizimit të shtetit…; tani nuk mund të mbahen më këto pesha. Ranë.

Rënia u pa qartë sapo nisi edhe aksioni i Opozitës kundër qeverisë. Qeveria nuk e përballoi asnjë ditë të vetme; tjetër gjë çfarë tha… Po shikoj rënien tipike të peshës së madhe…

/Veritas.com.al/