Biznesmeni 55-vjeçar Rakip Roli i njohur ndryshe si Pilot Rroli, është ekzekutuar mëngjesin e sotëm në Laç me breshëri kallashnikovi. Report Tv mëson se biznesmeni i materialeve të ndërtimit po lëvizte me makinë luksoze tip ‘Audi Q7’ në momentin që është qëlluar për vdekje. 7 plumba thuhet se e kanë kapur në trup 55-vjeçarin ndërsa në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet se makina është e larë në gjak dhe shoshë nga plumbat.

Sakaq, djali i tij është aksidentuar teksa po shkonte drejt vendit të ngjarjes ku u vra i ati. Ende nuk dihen shkaqet e vrasjes ndërsa djemtë e biznesmenit, Emiljano dhe Isuf Roli jane hetuar per trafik droge në vitin 2017. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje ndërsa janë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Në ndihmë të policisë janë nisur edhe dy grupe të FNSH-së ndërsa mendohet se në atentat kanë marrë pjesë dy persona, babë e bir, Skënder Lika dhe djali i tij.

Rakip Roli u qëllua me breshëri kallashnikovi sapo doli me makinë nga banesa e tij. Report Tv mëson se automjeti me të cilin udhëtonte viktima, ka lëvizur për të paktën 500 metra nga vendi ku është qëlluar duke goditur nga pas një makinë tjetër tip ‘Audi’ ku më pas përfundoi në kanal. Biznesmeni është qëlluar nga krahu i pasagjerit me breshëri duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sakaq, mendohet se në atentat kanë marrë pjesë dy persona, ende të paidentifikuar.

Kush ishte Rakip Roli
Raportohet se Roli ishte biznesmen materialesh ndërtimi. Rakip Roli, rezulton emër i njohur për policinë. Në vitin 2011 ai u arrestua pasi u përfshi në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër, Petrit Sana rrahën me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë, pas një sherri për motive banale.