Nga L. Skiroi/

Në të njëjtën ditë, sot e Hënë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një vizite zyrtare në Athinë deklaroi se “nuk kemi parti me baza nacionaliste”. Thuajse në të njëjtën kohë, kryetari i PBDNJ (e quajtur ndryshe “Partia e Grekëve”), doli para publikut dhe mbrojti një nga ish-deputetët e Minoritetit Grek, Nikola Nerenxi.

Zoti Nerenxi, para dy ditësh është kërcënuar “për vdekje” në një nga fshatrat periferikë të Himarës, e banuar nga një pëërqindje e lartë minoritarësh grek. Vetë zoti Nerenxi i përket këtij komuniteti. Ish- deputeti u kërcënua nga dikush që ai tha se “e njoh”, tregoi edhe mbiemrin e tij, duke lëshuar hije dyshimi se personi ka lidhje familjare me ministren e Kulturës, Kumbaro. Kjo e bëri edhe më të egër reagimin e deputetit që ishte ndodhur para një rreziku si ky: “po kalove këndej do të marrësh plumbin”.

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, para publikut, fillimisht u ndal në  faktin se kjo është “ngjarje e rëndë përsa i përket rendit dhe sigurisë së jetës”, por edhe “dimensionit të saj politik” ku një person me veprimtari publike dhe biznesmen nga radhët e minoritetit grek, në vendlindjen e tij në Himarë, u bë objekt agresioni dhe u kërcënua me jetë.

“Për atë trevë dhe komunitetin e saj autokton janë të huaja sjellje të kësaj natyre banditeske. Dorë e huaj kërkon të shkaktojë konflikt të brendshëm”- tha Dule në deklaratën për mediat.

Para pak vitesh Himara ka përjetuar tensione të larta në raportet “kush je ti grek?”, dhe  “kush jam unë vlonjati shqiptar”. Një i ri ka mbetur i vrarë për shkak të këtij tensioni.

Rrënjët nacionaliste të të paktën dy partive politike (PBDNJ dhe PDIU) janë shumë të njohura. Të dy partitë janë kthyer në “mollë sherri” për politikën shqiptare dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë. Sa herë që qeveria shqiptare përkëdhel PDIU (parti e Çamëve), PBDNJ (Parti e Grekëve) mërzitet dhe largohet nga koalicioni qeveritar. Konflikti mes këtyre dy partive shqiptare buron nga konflikti i komunitetit Çam me politikën greke që ka nisur gjatë Luftës së Dytë Botërore; konflikt që është mbartur aktualisht në marrëdhëniet me PBDNJ (parti shqiptare por Greke).

Por po ditën e një konflikti politik ndëretnik në Shqipëri, kryetari i Kuvendit, Meta, deklaroi në Greqi një të pavërtetë: Se në Shqipëri nuk ka parti politike me rrënjë në nacionalizëm. Sa kohë që  nuk njihet realiteti, aq më tej mund të shtyhet e njëjta situatë konfliktuale