Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Europian Luigi Soreca, u takuan me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.

Kim dhe Soreca e cilësuan “thelbësore” hetimin e parregullsive nga autoriteteve dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore përfshi blerjen e votave, kërcënimin e votuesve dhe përpjekjet e tjera për t’u mohuar votuesve të drejtën për të votuar të lirë, pa frikë, trysni apo joshje të paligjshme.

Duke cituar raportin e fundit të ODIHR, Ambasadorët Kim dhe Soreca shprehën vlerësimin për administrimin kompetent të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ. Ambasadorët nënvizuan se tani është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe partive për të punuar me KQZ-në për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it.

 Në njoftim thuhet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë të gjitha përpjekjet për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të përmbushin standardet më të larta, në mënyrë që vullneti i zgjedhësve të respektohet plotësisht.