KOMENT/ 

“Diskutim shumë i mirë sot me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për një gamë të gjerë çështjesh”.

Kjo ka qenë deklarata e ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, fill pas takimit, i cili zgjati rreth një orë në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Duke mos treguar detaje të takimit, Kim u shpreh se SHBA-të kanë pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD-në që në lindjen e saj.

“Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë – shpresojmë që kjo vetëm të forcohet”, shkruan ajo në median sociale Twitter.

Sakaq, ajo vendos theksin te rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“SHBA-Shqipëri kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë të ecim së bashku përpara, jo prapa”, e përmbyll mesazhin e saj Kim.

Situata në PD

Alibeaj mori drejtimin e PD-së si kryetar i komanduar, menjëherë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës më 21 mars.

“Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë”, ishte deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi.

Ky i fundit bëri me dije se Tabaku hoqi dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë.

Duke qenë se dy nënkryetarët e tjerë, Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj kanë dhënë dorëheqjen fill pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, rrjedhimisht në përputhje me nenin 46 të Statutit të PD-së, përgjegjësia i takon Alibeajt.

“Për pasojë drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të bëhet nga nënkryetari dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Enklejed Alibeaj”, përmbyllet njoftimi i Bardhit.

Por, nga ana tjetër, më 25 mars Gjykata e Tiranës ka njohur zyrtarisht ndryshimet statutore të PD-së të dalë nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit – i thirrur nga ish-lideri i bluve Sali Berisha.

Kjo do të thotë se, çdo akt i organeve të PD-së, i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit.

Sakaq Alibeaj ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit, por kjo nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së nuk plotëson asnjë kriter legjitim për t’u ankuar, pasi ai është shkarkuar si nënkryetar i partisë.

Çfarë parashikonte statuti i ndryshuar?

Në Statut parashikohet edhe një nen i veçantë për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimin e anëtarësisë ekzistuese.

Po ashtu, ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, me shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.

Konkretisht, bie vendimi i Bashës, i cili një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re – më 9 shtator 2021 – përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i Bashës erdhi pas shpalljes së ish-kryeministrit dhe familjes së tij si persona non-grata nga SHBA-të.

Pikërisht ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 maj të vitit 2021, do të sillte një përçarje “të thellë” të demokratëve.

Por, si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion, duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.  /Albanianpost.com