Këro Krishtlindje duket se Kisha Katolike e Shqipërisë, do të jetë e para që do të ndahet prej ceremonive me kravata e veshje të shtrenjta dhe sjellje të ftohta pasanikësh politikanë, siç është bërë zakon prej shumë vitesh.

Në festimet e këtyre Krishtlindjeve, Metropolia Katolike Durrës- Tiranë, ka vendosur t’u dedikohet të varfërve. Asnjë ftesë për politikanë, ambasadorët  dhe autoritetet. Salla e dikurshme e shtruar me luks dhe emocion se në qilimat e shtrenjtë do të shkelnin autoritetet, sivjet do të marrë frymë lirshëm. Aty do të mirëpriten vetëm më të varfrit dhe njerëz në nevojë. Në vend të intervistave të bujshme të politikanëve, do të dëgjohen, me siguri, fjalë falënderuese për Krishtin dhe Kishën.

Vendi i pompozitetit të viteve të shkuara, u është rezervuar shtresave të varfra nga populli këtë vit, duke e afruar filozofinë e Kishës katolike në origjinën e saj. Në ambientet e Arqipeshkëvisë Katolike do të shtrohet një drekë për të varfrit.

Në njoftimin e Kishës Katolike thuhet se Krishtlindjet janë festë e të gjithëve, por së pari e njerëzve të varfër të popullit që ndodhen në kufijtë e mbijetesës.

/Veritas.com.al/